Kurti bashkë me Sveçlën, Hajdarin e Muratin po qëndrojnë për vizitë zyrtare në Kroaci

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti po qëndron në Zagreb të Kroacisë për vizitë zyrtare. Sipas agjendës Kurti do të pritet nga kryeministri kroat, Andrej Plenkoviq në orën 10:10. Nga ora 10:30 të dy kryeministrat do të zhvillojnë një takim së bashku me delegacionet e tyre. Pas takimit, në orën 11:40 Kurti dhe homologu i tij…

Lajme

13/12/2024 08:13

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti po qëndron në Zagreb të Kroacisë për vizitë zyrtare.

Sipas agjendës Kurti do të pritet nga kryeministri kroat, Andrej Plenkoviq në orën 10:10.

Nga ora 10:30 të dy kryeministrat do të zhvillojnë një takim së bashku me delegacionet e tyre.

Pas takimit, në orën 11:40 Kurti dhe homologu i tij kroat, Plenkoviq do të deklarohen për media.

Më pas kryeministri Kurti do të marrë pjesë në hapjen e Forumit Ekonomik Kroaci-Kosovë, ku pjesë e këtij forumi janë 30 biznese nga Kosova. Kjo është hera e dytë që mbahet një forum i këtij niveli në Zagreb.

Ndërkaq, pasdite në orën 15:20 kryeministri Albin Kurti do të pritet në Presidencën kroate, nga presidenti i Kroacisë, Zoran Milanoviq.

I pari i Qeverisë së Kosovës, Albin Kurti takimet në kryeqytetin kroat do t’i përmbyllë në Kuvendin e Kroacisë ku do të takohet me kryetarin e këtij kuvendi, Goran Jadrokoviq.

Pjesë e delegacionit të Qeverisë së Republikës së Kosovës janë ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari dhe ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati.

Gjatë kësaj vizite dy vendet do të nënshkruajnë marrëveshje në fushën e sigurimeve sociale, për njohje të ndërsjellë të patentë shoferëve, për bashkëpunim në mbrojtje nga fatkeqësitë natyrore, teknike dhe teknologjike, dhe bashkëpunim në fushën e mjekësisë ligjore.

Pas Kroacisë, kryeministri Kurti udhëton për në Slloveni.