“Vuçiq pranë rënies, mund të nxis kaos”, Zëvendësi i dikurshëm i Gjingjiq për gazetën kroate: Mund të themi se i erdhi fundi

“Ka arsye të thuhet se ai tashmë ka marrë fund”, thotë për gazetën kroate Jutarnji list, Zharko Koraq, dikur zëvendëskryeministër në qeverinë e Zoran Gjingjiqit. Nga ajo që po ndodh në Beograd, tashmë ka mbizotëruar euforia e fitores te forcat kundër Vuçiqit, të cilat, siç supozohet, menjëherë pas mbylljes së vendvotimeve do të fillojnë të…

Lajme

25/10/2026 17:27

“Ka arsye të thuhet se ai tashmë ka marrë fund”, thotë për gazetën kroate Jutarnji list, Zharko Koraq, dikur zëvendëskryeministër në qeverinë e Zoran Gjingjiqit.

Nga ajo që po ndodh në Beograd, tashmë ka mbizotëruar euforia e fitores te forcat kundër Vuçiqit, të cilat, siç supozohet, menjëherë pas mbylljes së vendvotimeve do të fillojnë të festojnë në rrugë.

Arsyeja për këtë është pjesëmarrja e lartë, e cila paralajmëron se Aleksandar Vuçiqi, të paktën siç duket, po bie dhe se as me manipulimet e shumta zgjedhore nuk do të mund ta kompensojë këtë humbje, megjithëse as ai nuk ia ka lënë gjithçka rastësisë. Por këtë herë, vërtet e ka të vështirë.

“Radhët për të votuar janë aq të gjata dhe pjesëmarrja deri në mesditë është rreth 35 për qind, prandaj tashmë mund të thuhet se Aleksandar Vuçiq ka marrë fund”, thotë Zharko Koraq, profesor në pension i Universitetit të Beogradit dhe dikur zëvendëskryeministër në qeverinë e Zoran Gjingjiqit.

Që nga orët e hershme të mëngjesit, atmosfera ka qenë e tillë saqë radhët kanë filluar të krijohen edhe para hapjes së vendvotimeve. Kur situata është e tillë, thonë sociologët, kjo gjithmonë tregon pjesëmarrje të lartë, e cila nënkupton se votuesit kërkojnë ndryshime. Pjesëmarrja po shkon drejt një shifre që as Vuçiqi do ta ketë të vështirë ta tejkalojë. Megjithatë, duke gjykuar nga orët e para të zgjedhjeve, duket se Vuçiqi duhet të mendojë me nxitim për lëvizjet e tij të ardhshme, sepse përshtypja është se gjërat nuk po i shkojnë mirë. Fakti që shumë prej mediave të tij, si Informer, Kurir, Alo, Politika dhe B92, po shkruajnë për parregullsi të shumta në vendvotime dhe për kërcënimet ndaj të cilave janë të ekspozuar votuesit pro Vuçiqit, ndërkohë që studentët dhe mediat e pavarura sulmohen se po shkelin heshtjen zgjedhore, tregon se tashmë po përgatitet një taktikë e mundshme për mosnjohjen e rezultateve të zgjedhjeve, me arsyetimin se ato janë të parregullta. Informer, si grushti më i fuqishëm mediatik i Vuçiqit, tashmë po flet për këtë parregullsi, çka do të thotë se ata janë të vetëdijshëm për drejtimin në të cilin po shkon procesi zgjedhor.

Në ditët e tij “më të mira”, Aleksandar Vuçiqi ka marrë rreth dy milionë vota, që do të thotë se kësaj here i nevojiten të paktën edhe 400 deri në 500 mijë vota shtesë për të shpallur fitoren. Nëse pjesëmarrja arrin 65 deri në 70 për qind ose më shumë, siç pritet bazuar në këtë trend, kjo do të thotë se ai nuk do të mund ta kompensojë këtë diferencë. Nëse turmat në vendvotime vazhdojnë – dhe është e vështirë të pritet që ato të pakësohen – ndoshta mund të flasim që tani për humbjen e Vuçiqit.

Sipas disa informacioneve, në rast humbjeje ai mund të shkaktojë trazira dhe çrregullime për të shpallur gjendjen e jashtëzakonshme dhe, në këtë mënyrë, të paktën për një kohë, ta shtyjë rënien e tij. Ndoshta do të këmbëngulë se zgjedhjet kanë qenë të parregullta ose do të insistojë te fitorja e tij, të cilën studentët nuk e njohin, duke e zvarritur situatën dhe duke e çuar atë drejt pragut të krizës dhe kaosit.

Pyetja është se deri në ç’masë policia, ushtria dhe komuniteti i inteligjencës, por edhe skuadronet e tij paramilitare, të ashtuquajturit ćaciji, janë të gatshëm ta mbrojnë atë, ndonëse në një masë të madhe po mbrojnë edhe veten dhe pozitat e tyre. Megjithatë, duke pasur parasysh karakterin e tij autoritar psikopatologjik dhe faktin se ai ka krijuar një regjim nepotist, korruptiv-klientelist, të lidhur me strukturat kriminale (për të cilin shkroi pak para zgjedhjeve e përjavshmja Radar, një nga mediat e rralla të pavarura serbe), shtrohet pyetja nëse, për të gjitha këto arsye, ai mund ta dorëzojë pushtetin qetësisht dhe të tërhiqet në opozitë. Duke qenë se në këtë sistem të tij fitimprurës dhe të bazuar te besnikëria ka përfshirë një numër të madh njerëzish, ndërsa në duart e tij mban ende aparatin represiv, institucionet dhe shumicën e mediave, ka gjasa që ai të përpiqet ta shtyjë të pashmangshmen dhe të shkaktojë kaos e trazira, pavarësisht rezultateve të zgjedhjeve.

Megjithatë, nëse Vuçiqi – dhe kjo mund të pritet prej tij – shpall fitoren edhe me një pjesëmarrje kaq të lartë, kjo do të thotë se bëhet fjalë për manipulime të mëdha zgjedhore. Kjo me siguri do të nxjerrë në rrugë një numër të madh njerëzish të pakënaqur, veçanërisht në qendrat e mëdha urbane si Beogradi, Novi Sadi dhe Nishi, pra njerëz që nuk kanë votuar për të. Në këtë rast, pyetja është se si do të reagojë aparati represiv, i cili është plotësisht nën kontrollin e Vuçiqit. Ai mund edhe ta pranojë humbjen, por do të bëjë gjithçka për ta vështirësuar ndryshimin e pushtetit, veçanërisht nëse ndien se është i kërcënuar. Kjo do të thotë se do të përpiqet në çdo mënyrë ta pengojë formimin e pushtetit të ri, për t’i dhënë vetes mundësinë të mendojë nëse do të arratiset (në këtë kontekst përmenden Minsku dhe Moska, përmes Bratislavës). Ky është një nga skenarët realistë, sepse kundërshtarët e tij prej kohësh e kërcënojnë me burgim dhe gjykim, ndërsa është e vështirë të supozohet se ai është i gatshëm të sakrifikohet deri në atë masë.