Kurti: Artur Zheji, një zë i rrallë i mendimit të lirë dhe medias shqiptare

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka shkruar pas lajmit të ndarjes nga jeta të gazetarit, analistit dhe intelektualit të njohur shqiptar, Artur Zheji. Në një postim në Facebook, Kurti ka vlerësuar lart figurën e Zhejit, duke e cilësuar atë si një zë të rrallë në hapësirën mediatike shqiptare dhe një përfaqësues të denjë…

Lajme

24/08/2025 10:38

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka shkruar pas lajmit të ndarjes nga jeta të gazetarit, analistit dhe intelektualit të njohur shqiptar, Artur Zheji.

Në një postim në Facebook, Kurti ka vlerësuar lart figurën e Zhejit, duke e cilësuar atë si një zë të rrallë në hapësirën mediatike shqiptare dhe një përfaqësues të denjë të mendimit të lirë dhe angazhimit qytetar.

“Artur Zheji, personalitet i medias së shkruar e asaj televizive, është ndarë dje prej nesh në moshën 64-vjeçare. I kujtoj bashkëbisedimet me të, para apo pas kamerave, sepse të rrallë kanë qenë dhe janë gazetarët që, përtej lajmit të ditës, angazhohen e thellohen me seriozitet intelektual te çështjet e subjektet me të cilat ballafaqohen. I tillë ishte Artur Zheji – fjala e të cilit nuk thuhej për t’u harruar të nesërmen”, ka thënë Kurti.

Kurti ka shprehur ngushëllimet e tij për familjen dhe të gjithë ata që e njohën dhe vlerësuan kontributin e Artur Zhejit.