​Kurti 3 “kundër” Kurti 2 – shtohen 4 ministri, ikën Bislimi, Konjufca “mposht” Gërvallën, Muja bëhet “bujk”

Kuvendi i Kosovës miratoi të mërkurën mbrëma Qeverinë e re të Republikës së Kosovës, të udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti. Kështu, atij iu dha mundësia që e kërkoi për më shumë se një vit, ta nis mandatin e tij të tretë, të njohur si “Kurti 3”. Kjo qeveri, nuk ndodh ndonjë e “papritur”, ka jetëgjatësi…

Lajme

12/02/2026 13:39

Kuvendi i Kosovës miratoi të mërkurën mbrëma Qeverinë e re të Republikës së Kosovës, të udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti. Kështu, atij iu dha mundësia që e kërkoi për më shumë se një vit, ta nis mandatin e tij të tretë, të njohur si “Kurti 3”. Kjo qeveri, nuk ndodh ndonjë e “papritur”, ka jetëgjatësi deri në fund të vitit 2029.

Kabineti i ri vjen me ndryshime të dukshme krahasuar me “Kurti 2”, si në aspektin e numrit të ministrive, ashtu edhe në riorganizimin e posteve dhe përfshirjen e figurave të reja.

Një nga veçoritë kryesore të Qeverisë “Kurti 3” është shtimi i ministrive. Ndryshe nga “Kurti 2”, e cila funksiononte me 15 të tilla, qeveria e re ka 19, duke e rritur kabinetin me 4 dikastere shtesë.

Ky zgjerim, sipas Kurtit, që dikur ishte kritik i rreptë i qeverive me shumë ministri, synon të mbulojë më shumë sektorë me ministri të veçanta dhe njëkohësisht të krijojë hapësirë për rikonfigurim politik dhe ndarje më të gjerë të përgjegjësive.

Kush ndërroi dikaster, e kush nuk mbeti aty ku ishte

Në Qeverinë “Kurti 3” ka edhe ripozicionime të disa figurave nga mandati i kaluar, që janë zhvendosur në dikastere të reja, duke ndryshuar përgjegjësitë dhe fushëveprimin e tyre. Ndër ta është Donika Gërvalla Schwarz, që ka kaluar nga ministria e Jashtme në atë të Drejtësisë dhe Hajrulla Çeku, i cili u largua nga Kultura e Sporti për të marrë Arsimin e Shkencën.

Disa tjerë kanë mbetur në të njëjtat poste sikur janë: Hekuran Murati në Financa, Arben Vitia në Shëndetësi, Xhelal Sveçla te Punët e Brendshme, Artane Rizvanolli në Ekonomi, Ejup Maqedonci në Mbrojtje dhe Nenad Rashiq te ministria e Komuniteteve dhe Kthimit

Ndërkohë, në strukturën e re është vërejtur edhe ndryshim i rëndësishëm në nivelin e zëvendëskryeministrave. Kurti nuk e ka lëvizur nga kjo pozitë Donika Gërvalla Schëarz, por i ka larguar Emilija Rexhepin dhe Besnik Bislimin, të cilët nuk janë pjesë e qeverisë as si ministra. Në vend të tyre janë vendosur Glauk Konjufca dhe Fikrim Damka.

Besnik Bislimi dhe kush tjetër nuk u ftua në Kurti 3?

Qeveria e re nuk përfshin disa nga emrat e kabinetit të kaluar, të cilët kishin udhëhequr ministri kyçe gjatë mandatit “Kurti 2” si: Besnik Bislimi (ish-zëvendëskryeministër dhe përgjegjës për integrime evropiane), Emilija Rexhepi (ish-zëvendëskryeministre), Arbërie Nagavci (ish-ministre e Arsimit), Rozeta Hajdari (ish-ministre e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë), Liburn Aliu (ish-ministër i Infrastrukturës dhe Planifikimit Hapësinor) dhe Faton Peci (ish-ministër i Bujqësisë), i cili është zgjedhur kryetar i Mitrovicës, nëntorin e kaluar.

Ministrat e rinj të Kurti 3 – Hoti te vlerat e luftës, Muja bëhet “bujk”

Një tjetër veçori e Qeverisë “Kurti 3” është përfshirja e disa figurave që më parë nuk kishin qenë ministra në kabinetet e Kurtit. Andin Hoti mori Ministrinë për Punë, Familje dhe Vlerat e Ushtrisë Çlirimtare. Saranda Bogujevci u bë shefe e Kulturës dhe Turizmit, Fitore Pacolli u ngarkua me përgjegjësinë e udhëheqjes së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Dimal Basha u zhvendos nga kryetari i Kuvendit te Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës. Lulzon Jagxhiu kaloi nga pozita e këshlltarit të kryeministrit Kurti, në udhëheqës të Ministrisë së Digjitalizimit dhe Administratës Publike. Mimoza Kusari Lila la shefllëkun e grupit parlamentar të VV-së në Kuvend për t’u kthyer te Ministria e Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, ku kishte qëndruar edhe gjatë një mandati qeverisës në kohën e kryeministrit Hashim Thaçi. Armend Muja nuk do të jetë më deputet, pasi u “gradua” në ministër të Bujqësisë.