Kurrikulat arsimore të reflektojnë nevojat e ndryshueshme të sektorit privat
Nevoja për përshtatjen e kurrikulave mësimore të institucioneve të arsimit formal dhe profesional me nevojat e komunitetit të biznesit ishte temë e diskutimit të forumit mbi Përshtatjen e Kurrikulave, të organizuar nga Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë.
Lajme
Arianit Fazliu nga kompania KUTIA, e cila operon në sektorin e teknologjisë së informacionit, tha se kurrikulat duhet të shihen si projekte të gjalla dhe jo si produkte që krijohen për një kohë të caktuar. Në këtë mënyrë ato do t’u përshtateshin nevojave shpejtë të ndryshueshme të bizneseve dhe rrjedhimisht të tregut të punës. Ai foli edhe për rëndësinë e përfshirjes së lëndëve të caktuara mësimore siç është kodimi në klasat më të hershme të ciklit të ulët fillor. Fazliu tha se krahas adoptimit të kurrikulave të duhura, të rëndësishme janë edhe adoptimi i metodologjisë së duhur të mësimdhënies, por edhe trajnimi i duhur i mësimdhënësve.
Ndërsa, Jeton Veseli nga kompania FRONT, që operon në sektorin e ndërtimtarisë, tha se nevojitet një ndërlidhje më e mirë me nxënësit e drejtimeve profesionale teknike me sektorin e ndërtimtarisë në veçanti dhe me sektorët e tjerë në përgjithësi, meqë në këtë mënyrë nxënësit do të kenë mundësi të shohin edhe aspektin praktik dhe teknologjik të mësimeve teorike të cilat i marrin nëpër shkolla ose qendra të aftësimit profesional. Ai tha se Qeveria duhet të ofrojë stimuj fiskalë ose monetarë për kompanitë të cilat do të ishin të interesuara të hapnin dyert e tyre për praktikantët nxënës ose studentë.
Pjesëmarrësit e forumit ngritën shqetësimet e tyre lidhur me disponueshmërinë e fuqisë së kualifikuar punëtore, nevojës së ndryshimit të qasjes së mësimdhënies, por edhe rolit të institucioneve shtetërore të cilësisë arsimore./Lajmi.net/