Kur shteti, drejtësia e sporti sfidohen nga një njeri, Milan Radojiçiq

Kanë kaluar gati një vit e dy muaj që nga vrasja e ish-liderit të SDP-së, Oliver Ivanoviq, në veriun e Mitrovicës.

Lajme

06/03/2019 13:03

Janari i 2018-ës do të nxirrte në pah nevojën e funksionimit të organeve të sigurisë edhe në pjesën veriore të Kosovës, shkruan lajmi.net.

Rastin ‘Ivanoviq’ pak muaj më vonë do ta merrte në dorë Prokuroria Speciale e Kosovës.

Pa rezultate konkrete në fazën e hetimit kaluan disa muaj, derisa në nëntor të vitit që lamë pas u arrestuan tre persona që ndërlidhen me vrasjen e Ivanoviqit.

Mirëpo në pranga nuk përfundoi i dyshuari kryesor, Milan Radojiçiq. Ky i fundit u arratis nga Kosova.

Radojiçiq konsiderohet si ‘koka’ e strukturave paralele në veri të vendit, të cilat kanë për qëllim kompromentimin e organeve shtetërore të Kosovës. Mirëpo kjo nuk i pengoi as liderët shtetëror. Kryeministri Haradinaj do të takohej me Radojiçin në cilësinë e nënkryetarit të Listës Serbe.

Radojiçiq sfidoi edhe njëherë organet e sigurisë dhe inteligjencës së Kosovës, kur para disa ditësh u zgjodh kryetar i Federatës Paralele të Futbollit të Kosovës.

Paraprakisht, Prokuroria Speciale kishte lëshuar fletëarrest për ‘bosin’ e veriut.

Organet e sigurisë as nuk janë në dijeni nëse Radojiçiq ka hyrë në Kosovë

Prokuroria Speciale e Kosovës nuk është në dijeni nëse Radojiçiq ka hyrë në territorin e Kosovës.

Prokuroria Special, Sylë Hoxha për lajmi.net thotë se policia e cila ka për detyrë ta bëj një gjë të tillë, deri më tani nuk ka dhënë informacione se personi në fjalë ka hyrë brenda Kosovës.

E për arrestimin e tij, nga organet shtetërore duhet të lëshohet një fletëarrest ndërkombëtar, gjë që deri më tani nuk është bërë.

“Ende nuk është bërë arrest ndërkombëtar, ende është vendor. Policia nuk na ka informu për këtë, edhe unë jam informuar nga mediat. Nëse ai hyn në Kosovë duhet me u kapë sipas urdhërarrestit. Deri më tani nuk është lëshuar fletëarrest ndërkombëtar sepse duhet të kalojnë disa procedura para se të lëshohet”, thotë Hoxha për lajmi.net.

Megjithatë, ai shprehet i bindur se në momentin që Radojiçiq hyn në territorin e Kosovës, i njëjti do të arrestohet.

Radojiçiq sfidon edhe sportin

Duke qenë në kërkim nga Policia e Kosovës, Radojiçiq u zgjodh kryetar i Federatës Paralele të Futbollit të Kosovës, pa u penguar nga askush.

Kryetari i FFK-së, Agim Ademi në një prononcim për lajmi.net tha se federata e cila drejtohet nga ai, është ankuar tek shtëpitë më të mëdha të futbollit, UEFA e FIFA.

Ai mes tjerash na tha se ata janë mësuar me “dyfytyrësinë” e organeve serbe të cilat zotohen në kompromis e në anën tjetër bëjnë veprime të tilla.

“Jemi anku  në UEFA e FIFA për rastin. Edhe më herët i kemi njoftu kur është raportuar në lidhje me këtë çështje. Faktikisht ne jemi mësuar me këto faza të cilat i bën Serbia. Me një anë thotë që do të bëjë kompromis dhe bashkëpunim në rrafshin ndërkombëtar, e në rrafshin vendor bën veprime të tilla”, thotë ai.

Sipas Ademit, FFK-ja është në kontakt edhe me policinë dhe ministrinë e Punëve të Brendshme, që Federata Paralele e drejtuar nga Radojiçiq mos të mbajë aktivitete sportive në Kosovë.

Përgjigje pozitive ai pret edhe nga UEFA e FIFA.

“ Absolutisht unë jam kundër kësaj dhe nuk do të lejojmë që të bëhen aktivitete të tilla. Ne do të bëjmë kërkesë edhe tek organet e sigurisë edhe tek policia që të mos lejojë të zhvillohet ndonjë aktivitet. Ne presim nga UEFA dhe FIFA që të reagojnë pozitivisht ndaj ankesës sonë, ne jemi dy federata të pranuara dhe shpresojmë që të dërgohet një notë proteste në Serbi”, thotë ai.

Hipokrizia e Serbisë – Haptazi në përkrahje të Radojiçiqit

Se Radojiçiq po përkrahet nga Qeveria serbe po e thotë eksperti i sigurisë, Nuredin Ibishi.

Sipas tij, veprimtaria e organeve paralele në Kosovë nuk i përket vetëm rrafshit të brendshëm. Ai për lajmi.net thotë, se Qeveria serbe haptazi po e përkrah krijimin e institucioneve paralele.

“Kjo është një hipokrizi e skajshme e organeve serbe të cilat vazhdojnë me përkrahjen dhe krijimin e institucioneve paralele në Kosovë. Këto veprime janë në vazhdimësi dhe nuk janë vetëm brenda institucioneve paralele por janë edhe nga vetë Qeveria e Serbisë, madje edhe Gjuriq (Marko Gjuriq, drejtor i të ashtuquajturës zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë) është prononcuar për këtë”, ka thënë Ibishi.

Ibishi fajëson institucionet e sigurisë, pasi thotë se janë treguar të ngathëta, pasi që siç thotë ai është paralajmëruar se do të ndodhë një gjë e tillë.

“Ata në formë krejtësisht të hapur po e cenojnë krejt atë se çka është bërë deri më sot, sidomos me pranimin e Kosovës në UEFA dhe FIFA.  Është ditë për këtë mbledhje dhe hipokrizia se organet e rendit dhe policia nuk ka reaguar që të pengojë mbledhjen për krijimin e institucioneve ilegale. Reagimi i mëvonshëm ka qenë me vonesë sepse paralajmërimi ka qenë për një takim të tillë dhe nuk janë marrë masa preventive”, përfundon Ibishi.

Çështja ‘Radojiçiq’ u bë mollë sherri edhe mes kryeministrit Haradinaj dhe presidentit Thaçi. Ky i fundit e kishte akuzuar kryeministrin për takimin e tij me nënkryetarin e Listës Serbe.

Në një luftë fjalësh nga distanca, Haradinaj dje tha se ai bashkë me Thaçin kishte mbajtur takim dy orësh me Radojiçiqin në presidencë.

Me Radojiçiqin, pas fletëarrestit ishte takuar edhe presidenti serb, Aleksander Vuçiq.

Lajmi.net kishte raportuar në vazhdimësi në lidhje me zhvillimet për çështjen në fjalë.  /E.Dragaj/Lajmi.net/