​Ksamil, siguria detare shpëton 28 pushues që po rrezikoheshin në det të hapur

Njësia Policore Detare dhe Policia Kufitare e Shqipërisë po vijojnë intensivisht monitorimin e hapësirës detare, liqenore dhe lumore, me qëllim rritjen e parametrave të sigurisë. Nga Komani në Ksamil, si rezultat i monitorimeve dhe kontrolleve të kryera gjatë kësaj jave, janë kontrolluar 414 mjete lundruese, nga të cilat 26 janë bllokuar për shkelje të ndryshme…

Lajme

24/08/2025 17:24

Njësia Policore Detare dhe Policia Kufitare e Shqipërisë po vijojnë intensivisht monitorimin e hapësirës detare, liqenore dhe lumore, me qëllim rritjen e parametrave të sigurisë.

Nga Komani në Ksamil, si rezultat i monitorimeve dhe kontrolleve të kryera gjatë kësaj jave, janë kontrolluar 414 mjete lundruese, nga të cilat 26 janë bllokuar për shkelje të ndryshme – 16 xhet-ski, 4 skafe, 3 gomone dhe 3 varka metalike me motor uji të instaluar.

Njëmbëdhjetë prej mjeteve lundruese janë kapur duke lundruar brenda perimetrit të sigurisë, duke rrezikuar jetën e pushuesve. Drejtuesit e tyre janë gjobitur me nga 100 mijë lekë, raporton KosovaPress.

Gjithashtu, janë shpëtuar në det 28 shtetas shqiptarë dhe të huaj, si dhe 9 mjete lundruese, falë ndërhyrjes së menjëhershme të Policisë Kufitare dhe Njësisë Policore Detare, nga Ksamili në Koman.

Policia Kufitare apelon për respektimin me rigorozitet të rregullave të përdorimit të mjeteve lundruese.

Policia e Shtetit fton qytetarët dhe pushuesit të denoncojnë çdo shkelje të rregullave të lundrimit apo të perimetrit të sigurisë në numrin pa pagesë 112.