Kryeziu përmend Sami dhe Mërgim Lushtakun për vr*sjen e një gruaje nga një mik i tyre, ndez debat
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Mërgim Lushtaku, është përplasur në seancën e Kuvendit me deputeten e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbëreshë Kryeziu-Hyseni, pasi kjo e fundit përmendi emrin e tij dhe të babait të tij në kontekstin e rastit të vrasjes së një gruaje dhe mikut të saj. Lushtaku e ka akuzuar Kryeziun-Hysenin për shpifje,…
Lajme
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Mërgim Lushtaku, është përplasur në seancën e Kuvendit me deputeten e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbëreshë Kryeziu-Hyseni, pasi kjo e fundit përmendi emrin e tij dhe të babait të tij në kontekstin e rastit të vrasjes së një gruaje dhe mikut të saj.
Lushtaku e ka akuzuar Kryeziun-Hysenin për shpifje, duke e ftuar që të njëjtat deklarata t’i përsërisë edhe jashtë Kuvendit, ndërsa ka paralajmëruar padi.
“Po vjen në shprehje të flas këtu në një rast të tillë ku lakohet edhe emri im dhe i babait tim dhe këtu kam fjalën për Arbëreshë Kryeziun, që përmendi emrin e babait tim që e ka ndërlidhur me një rast të një personi që kryer vrasje, ku ka marrë jetën e gruas dhe mikut të tij, gjë që nuk është as në kulturën tonë. Ajo e di që ka imunitet në foltore këtu dhe shpif qëllimshëm, e ftoj të dalë edhe jashtë kuvendit dhe t’i thotë të njëjtat fjalë dhe padia do t’i vij menjëherë. Duhet të përmbahemi para se të flasim diçka”, tha Lushtaku.
Në përgjigjen e saj, deputetja e Vetëvendosjes, Arbëreshë Kryeziu-Hyseni, tha se reagimi i Lushtakut dëshmon, sipas saj, atë që ajo kishte deklaruar më herët. Ajo ka mohuar se është kërcënuar prej tij, ndërsa ka pretenduar se Lushtaku ka pasur lidhje të afërta me personin për të cilin po diskutohej.
“A po e shihni se për çka folëm dhe qysh në fund dalin dhe ia vënë vulën kësaj që thamë. A u kërcënova unë tash, a me tha hajde dil jashtë dhe thuaje nëse ke guxim. Kurrë nuk u konvenon juve me u thënë të vërtetën. Deri tash heshtët. Kur ua thua të vërtetën të thonë ta njoh babën e vëllain. Ky zotëria asnjëherë nuk e ka mohuar afërsinë me personin. Të gjithë e dinë që ti ke lidhje të ngushta me të”, tha ajo.
Në këtë debat është përfshirë edhe kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, e cila ka kujtuar një rast të mëhershëm kur, sipas saj, ajo dhe deputetja Arbërie Nagavci ishin akuzuar nga Lushtaku se kishin ardhur të dehura në Kuvend.
Haxhiu ka përmendur edhe një rast kur, sipas saj, kishte pësuar mavijosje gjatë një incidenti në Kuvend, duke thënë se për këtë nuk ishte thirrur nga Prokuroria.
“Çka ne flasim këtu na dëgjojnë qytetarët. Më kujtohet shumë mirë kur në një seancë unë jam akuzuar bashkë me Arbërie Nagavcin nga Lushtaku se kemi ardhur në kuvend të dehura… Paramendojeni çfarë efekti ka ajo deklaratë këtu në Kuvend. Po ashtu, unë krahët e mi i kam pasur të mavijosur nga Mërgim Lushtaku kur ka bë dhunë në kuvend, por mua nuk më ka thirrur prokuroria”, tha ajo.
Në replikën e tij, Lushtaku tha se lëndimet mund të ndodhin gjatë aksioneve politike, ndërsa ka ftuar deputetët që deklaratat e tyre t’i bëjnë edhe jashtë Kuvendit dhe të përballen me ligjin.
“Edhe ju keni lënduar, kur ka aksione politike dikush lëndohet. Unë i ftoj të gjithë ata që folin në foltore të flasin jashtë Kuvendit që ne të ballafaqohemi me ligjin. Asnjëherë nuk thashë të ballafaqohemi fizikisht”, tha ai.