Kryetari i Kushtetueses veri-maqedonase e përjashton shqipen nga “Safe City”, përplasen BDI dhe VLEN
Kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Maqedonisë së Veriut, Darko Kostadinovski e ka nxitur edhe një valë reagimesh nga partitë shqiptare. Kjo, derisa të mërkurën, në seancën ku u diskutua për kushtetutshmërinë e sistemit “Safe City” tha se SMS porositë duhet të dërgohen tek qytetarët në maqedonisht e anglisht, por jo edhe në gjuhën shqipe. Për…
Lajme
Kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Maqedonisë së Veriut, Darko Kostadinovski e ka nxitur edhe një valë reagimesh nga partitë shqiptare. Kjo, derisa të mërkurën, në seancën ku u diskutua për kushtetutshmërinë e sistemit “Safe City” tha se SMS porositë duhet të dërgohen tek qytetarët në maqedonisht e anglisht, por jo edhe në gjuhën shqipe. Për më tepër, tha se kushtetuta e obligon çdo qytetarë që ta njoh gjuhën maqedonase.
Sekretari i përgjithshëm i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Arbër Ademi tha për KosovaPress se ky është diskriminim i radhës që po u bëhet shqiptarëve në Maqedoni të Veriut.
“Nga muaji shkurt, këtu për sigurinë e komunikacioneve vetëm në disa qytete, e çuditërisht në qytetet ku shumicë janë shqiptarët, pra në Tetovë, Shkup edhe Kumanovë, përgjatë korridorit tetë dhe në këto qytete, aplikohet ‘Safe City’ dhe SMS porosi të cilët ju vijnë qytetarëve, nuk ju vijnë edhe në shqip. Pra, vijnë në gjuhën maqedonase dhe vijnë në gjuhën angleze. Prandaj edhe dje Gjykata Kushtetuese vendosi se ligji që parasheh realizimin e një projekti të këtillë, është në harmoni me kushtetutën, ndërsa deklaratat e kryetarit të Gjykatës Kushtetuese ishin krejtësisht skandaloze. Ju vetë e patë, ai tha mundet maqedonisht, mundet edhe anglisht, por jo edhe në shqip. Madje, madje tallej me inteligjencën kolektive të të gjithë qytetarëve të vendit duke thënë se ata që kanë veturë, duhet të kenë edhe smart telefonë dhe email, në të kundërtën, le të voziten me kuaj”, deklaron ai.
Ai thotë se deklaratat e kryetarit të Kushtetueses shpërfaqin “tendencën shoviniste” për çka ka akuzuar edhe VLEN – bllokun e partive shqiptare që aktualisht janë në pushtet.
“Kjo është vetëm një shpërfaqje e vogël e tendencës shoviniste të Darko Kostadinovskit, i cili ka ndërmarrë për dy vite me radhë, prej formimit të kësaj qeverie me shqiptarët humbës në këtë qeveri, ka ndërmarrë veprime të cilat cenojnë Marrëveshjen e Ohrit dhe rrënojnë marrëdhëniet e mira ndëretnike. …02:45… Po më e keqja është se në të gjithë këtë proces, ata kanë mbështetjen e VLEN-it. Kanë mbështetjen e këtyre shqiptarëve të cilët i ngjasojnë Rrahman Morinës në kohën e Millosheviçit në Kosovë, për arsye se para një viti kur ngritëm procedurë në kuvend për përgjegjësinë, për interpelancë, për përgjegjësinë e Darko Kostadinovskit, ishte VLEN me forcat nacionaliste në kuvend që votoi që pika të hiqet nga rendi i ditës dhe sot e kësaj dite, Darko Kostadinovski është i paprekshëm. Bën çfarë të don, shkel kushtetutën dhe ligjin me dy këmbë dhe askush, asgjë nuk mund t’i thotë”, shton ai.
Marrëveshja e Ohrit është kontratë e nënshkruar një çerekshekull më parë. Ky dokument i dha fund konfliktit të armatosur në Maqedoninë e atëhershme i cili u nxit si pasojë e diskriminimit të shqiptarëve atje. Dokumenti solli ndryshime në Kushtetutë dhe rregulloi përdorimin e gjuhëve të tjera, krahas asaj maqedonase.
Partitë shqiptare që përbëjnë koalicionin qeveritar VLEN, e që po akuzohen nga BDI për cenim të Marrëveshjes së Ohrit, kanë 12 ulëse në Parlamentin e Maqedonisë së Veriut, ndërkaq në ekzekutiv drejtojnë gjashtë ministri dhe kanë dy zëvendëskryeministra.
Por, zëdhënësi i VLEN-it, Driton Sulejmani thotë se fakti që këto tema janë të hapura edhe sot, janë pasojë e papërgjegjësisë dhe manipulimeve të BDI-s.
“Edhe më herët është ngritur çështja e përdorimit të gjuhës pikërisht nga Gjykata Kushtetuese. VLEN ka thënë edhe atëherë se garanton se gjuha shqipe nuk do të preket dhe prapë është i qëndrimit të njëjtë. Problemet të cilët BDI i ka lënë të pazgjidhura, ne në mënyrë të përditshme po mundohemi që t’i zgjidhim. Shumë shpejt do ta përmbyllim edhe një çështje që ka të bëjë pikërisht me Marrëveshjen e Ohrit, e ajo është ligji për përfaqësim të drejtë dhe adekuat. BDI për 23 vite nuk ka arritur të sjellë ligj për përfaqësim të drejtë dhe adekuat dhe ne këtë po e bëjmë për më pak se dy vite, edhe po e përmbyllim një prej pikave më të rëndësishme të marrëveshjes së Ohrit, edhe pse kjo marrëveshje në afatin e realizimit e ka pasur diku të përmbyllet në vitin 2004. Ne sot jemi në vitin 2026 dhe ende po diskutojmë tema që kanë të bëjnë me marrëveshjen e Ohrit”, përgjigjet Sulejmani.
Ligji për përdorimin e gjuhëve në Maqedoni të Veriut i detyron institucionet shtetërore të lejojnë përdorimin zyrtar të gjuhëve që fliten nga të paktën 20 për qind e qytetarëve.
Andaj, edhe VLEN ka kritikuar deklaratat e kryetarit të Kushtetueses, duke thënë se “përbërja e kësaj gjykate shpesh përmes komenteve ngjan më shumë elitës politike të një shteti që nuk ekziston më.
“Nuk mund të shmangemi përshtypjes se kjo përbërje e Gjykatës Kushtetuese shumë shpesh përmes komenteve ëh, ngjan më shumë në elitë politike jugosllave sesa ndonjë instancë më e lartë gjyqësore në vend. Sa i përket përdorimit të gjuhës shqipe, është e drejtë themelore e njeriut dhe një nga vlerat themelore të kushtetutës. Institucionet shtetërore e kanë detyrim të garantojnë të drejtën e çdo qytetari që të informohet në gjuhën e tij amtare, përfshirë edhe për detyrimet që lindin si pasojë e veprimeve apo sjelljes së tij. Domethënë kjo vlen edhe për sistemin Safe City. VLEN ka qenë i qartë dhe mbetet i palëkundur në qëndrimin se kur shteti njofton, paralajmëron apo ndëshkon qytetarin përmes këtij sistemi, ai ka për detyrë ta bëjë këtë edhe në gjuhën shqipe. Domethënë kjo nuk është çështje e vullnetit politik, por detyrim kushtetues dhe respektim i një të drejte themelore”, përfundon ai.
Të mërkurën Gjykata Kushtetuese mbajti seancë për ta shqyrtuar kushtetutshmërinë e ligjit për projektin “Safe City”. Ajo i hodhi poshtë iniciativat e Aleancës për Shqiptarët të Zijadin Selës dhe Arben Taravarit por edhe Ylli Paçukut nga Bashkimi Demokratik për Integrim. Të njëjtit kontestonin “Safe City-n” për disa çështje. Me theks të veçantë, për përfshirjen e vetëm tre qyteteve por edhe detyrimin që qytetarët të posedojnë telefona celularë dhe email.