Kryeministri spanjoll: Spanja “nuk do të lejojë” planin e Trumpit për zhvendosjen e palestinezëve nga Gaza
Kryeministri i Spanjës, Pedro Sanchez, ka kundërshtuar planin e presidentit të SHBA-së, Donald Trump, për të zhvendosur me forcë palestinezët nga Gaza, duke theksuar se “asnjë operacion nuk mund të mbulojë krimet kundër njerëzimit të kryera në Gaza”. Duke folur në një ngjarje në San Sebastian, të organizuar nga Partia Socialiste e Punëtoreve (PSOE), kryeministri…

Bota
Kryeministri i Spanjës, Pedro Sanchez, ka kundërshtuar planin e presidentit të SHBA-së, Donald Trump, për të zhvendosur me forcë palestinezët nga Gaza, duke theksuar se “asnjë operacion nuk mund të mbulojë krimet kundër njerëzimit të kryera në Gaza”.
Duke folur në një ngjarje në San Sebastian, të organizuar nga Partia Socialiste e Punëtoreve (PSOE), kryeministri Sanchez tha se “Spanja nuk do të lejojë planin e Trumpit për Gazën”.
Sanchez bëri thirrje për “respektim të ligjit ndërkombëtar edhe në Gaza ashtu si kudo në botë, veçanërisht të ligjit humanitar”. Ai shtoi se palestinezët duhet të jetojnë në Palestinë dhe izraelitët duhet të jetojnë në Izrael, në paqe, harmoni dhe siguri.
“Asnjë operacion i pasurive të paluajtshme nuk mund të mbulojë poshtërsinë, krimet kundër njerëzimit dhe turpin e asaj që është bërë në Gaza viteve të fundit. Nuk do ta lejojmë këtë. Spanja nuk do ta lejojë këtë”, tha kryeministri Sanchez.
Lidhur me fillimin e mundshëm të negociatave të paqes për t’i dhënë fund luftës ruso-ukrainase, e cila ka qenë në krye të agjendës ndërkombëtare pas telefonatës së presidentit Trump me homologun e tij rus, Vladimir Putin, kryeministri Sanchez theksoi se nëse kjo ndodh “bisedimet duhet të zhvillohen në interes dhe nën udhëheqjen e Ukrainës”.
Kryeministri spanjoll mbrojti multilateralizmin nga ata që duan të shkëputen nga e drejta ndërkombëtare.
Ai tha se është e domosdoshme që evropianët të jenë të pranishëm në tryezë për të gjitha llojet e bisedimeve për “sigurinë e kontinentit të vjetër”.