Kryeministri Kurti takon Biserkon, diskutuan për zhvillimet rajonale dhe demokracinë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur sot në takim kryetaren e Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Serbi, Sonja Biserko. Ky takim u zhvillua në një moment të rëndësishëm për rajonin, duke pasur parasysh sfidat politike dhe gjeopolitike që po e karakterizojnë Evropën Juglindore. Në qendër të diskutimit ishin zhvillimet aktuale…

Lajme

01/04/2025 19:55

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur sot në takim kryetaren e Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Serbi, Sonja Biserko.

Ky takim u zhvillua në një moment të rëndësishëm për rajonin, duke pasur parasysh sfidat politike dhe gjeopolitike që po e karakterizojnë Evropën Juglindore.

Në qendër të diskutimit ishin zhvillimet aktuale në rajon, ndikimet e dinamikave ndërkombëtare në Ballkanin Perëndimor, si dhe rëndësia e vlerave demokratike dhe historisë në proceset politike.

Kryeministri Kurti dhe Biserko shkëmbyen mendime mbi perspektivat e rajonit dhe sfidat që paraqiten për të ardhmen, me një fokus të veçantë në forcimin e bashkëpunimit dhe stabilitetit.

Gjatë takimit, kryeministri Kurti theksoi rëndësinë e demokracisë, sundimit të ligjit dhe barazisë për të gjithë qytetarët e Kosovës, duke nënvizuar përkushtimin e qeverisë për një shoqëri gjithëpërfshirëse, të drejtë dhe progresiste.

Ai ritheksoi se ndërtimi i institucioneve të forta demokratike është kyç për stabilitetin dhe zhvillimin afatgjatë të vendit.

Në fund të takimit, Kryeministri Kurti e falënderoi znj. Biserko për angazhimin dhe kontributin e saj të vazhdueshëm në ndërtimin e urave të paqes dhe bashkëpunimit mes vendeve të rajonit.