Kryeministri i Spanjës: Ligat dhe Federatat do të vendosin se kur rifillon sporti

Kryeministri i Spanjës ka lënë gjithçka në duart e ligave dhe federatave, sa i përket rifillimit të sportit.

Sport

02/05/2020 18:15

Kreu i Qeverisë së Spanjës, Pedro Sanchez, ka zbuluar se qeveria e tij nuk do të vendos për rifillimin e sportit.

Një gjë të tillë, Sanchez e ka lënë në duart e ligave dhe federatave të sporteve profesionale. Pra, në rastin e futbollit, La Liga dhe RFEF do të vendosin për fatin e sezonit.

“Jam më shumë tifoz i basketbollit sesa i futbollit, por le të shpresojmë që të rifillojnë së shpejti. Do të jenë federatat dhe ligat ato që vendosin kur të kthehen”, ka thënë Sanchez, transmeton lajmi.net.

“Ne kemi filluar të lejojmë stërvitje individuale për skuadrat sportive. Le të shpresojmë që të shohim së shpejti në TV, pastaj edhe në stadiume”, ka shtuar kryeministri i Spanjës.

Mbetet të shihet se cili do të jetë tashmë vendimi i La Liga dhe RFEF, për fatin e sezonit të futbollit spanjoll. /Lajmi.net/