Kryeministri i Malajzisë dënon akuzat për rrëzimin e aeroplanit MH17

Një ditë pasi ekipi, që ka hetuar rrëzimin e aeroplanit MH17 në Ukrainë, ka ngritur akuza kundër katër burrave, kryeministri i Malajzisë, Mahathir Mohamad, ka dënuar këtë vendim, duke e konsideruar “qesharak”.

Bota

20/06/2019 16:35

Tre rusë dhe një ukrainas janë akuzuar për dërgimin e një rakete në lindje të Ukrainës, e cila më pas ka rrëzuar aeroplanin e kompanisë, Malaysian Airlines në korrik të vitit 2014.

Të gjithë 298 personat që kanë qenë në bord, kanë vdekur si pasojë e këtij incidenti.

“Nga fillimi ky rast është kthyer në çështje politike, duke tentuar të akuzohet Rusia për ndonjë keqbërje”, ka thënë Mahathir.

Rusia po ashtu ka dënuar akuzat, duke i cilësuar “të pabaza”.

Megjithatë, vetë Malajzia është pjesë e hetimit të drejtuar nga ekipi holandez, i cili ka qenë duke hetuar këtë rast për vite.

Një proces gjyqësor do të hapet ndaj këtyre personave në Holandë më 9 mars të vitit 2020 edhe nëse të dyshuarit nuk janë prezentë. /rel