Pacienti me kancer shpenzon 682 euro për barna që mungojnë në Onkologjinë e QKUK-së
Një pacient/e me kancer është detyruar të shpenzojë 682 euro nga xhepi për t’i siguruar barnat e nevojshme për trajtimin e përshkruar nga mjeku, pasi dy nga katër barnat e nevojshme kanë munguar sot në Klinikën e Onkologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK). Sipas dokumentacionit të siguruar për datën 10 nëntor 2026, pacienti/ja…
Lajme
Një pacient/e me kancer është detyruar të shpenzojë 682 euro nga xhepi për t’i siguruar barnat e nevojshme për trajtimin e përshkruar nga mjeku, pasi dy nga katër barnat e nevojshme kanë munguar sot në Klinikën e Onkologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).
Sipas dokumentacionit të siguruar për datën 10 nëntor 2026, pacienti/ja është paraqitur në Klinikën e Onkologjisë për të marrë terapinë, por aty nuk ka gjetur dy nga barnat e përshkruara: Bevacizumab (Avastin) 600 mg dhe Paclitaxel 300 mg, raporton gazetarja Saranda Ramaj, transmeton lajmi.net.
Për të siguruar Bevacizumab-in, pacienti/ja ka paguar 550 euro në tregun e zi, pa faturë. Për 400 mg ka paguar 400 euro, ndërsa për 100 mg të tjera 150 euro. Megjithatë, për shkak të kostos së lartë, nuk ka arritur të sigurojë edhe 100 mg shtesë, të nevojshme për ta plotësuar dozën prej 600 mg të përshkruar nga mjeku.
Ndërkaq, për Paclitaxel-in, për të cilin i janë përshkruar tri ampula nga 100 mg, pacienti/ja ka paguar 132 euro. Një ampulë ka kushtuar 44 euro, ndërsa blerja dëshmohet përmes faturës së datës 10 nëntor 2026.
Në total, për terapinë e nevojshme, pacienti/ja ka shpenzuar 682 euro, por pavarësisht kësaj shume, nuk ka arritur ta sigurojë të gjithë dozën e Bevacizumab-it.
Dokumentet mjekësore dhe dëshmitë e siguruara tregojnë se pacienti/ja ka qenë i/e detyruar t’i blejë vetë barnat që nuk i ka gjetur në institucionin publik shëndetësor.
Mungesa e këtyre barnave ngre pikëpyetje për planifikimin, prokurimin dhe furnizimin e Klinikës së Onkologjisë, si dhe për përgjegjësinë institucionale për një situatë të tillë.
Përtej përgjegjësive që duhet të sqarohen nga institucionet, rasti rikthen në vëmendje një problem thelbësor për pacientët me kancer: a po ua siguron shteti terapinë e përshkruar nga mjekët, apo ata po detyrohen ta paguajnë vetë, edhe kur bëhet fjalë për trajtime jetike?
Dëshmitë dhe dokumentet për këtë rast janë siguruar me lejen e pacientit/es, i/e cili/a ka kontaktuar vetë për ta bërë publike situatën.
Postimi i plotë i Saranda Ramaj: