Krenaria e Rubinit

James Rubin e quan Kosovën krenari të tij, gjatë shërbimit në Qeverinë e SHBA’ve. Thotë se Kosova është storie suksesi dhe ishte fati që u buzëqeshi qytetarëve të këtij vendi.

Lajme

22/11/2013 13:27

Ish Zëdhënësi i Departamentit Amerikan të Shtetit, James Rubin, e ka quajtur Kosovën si “krenaria” e shërbimit të tij disavjeçar në qeverinë amerikane.

Njeriu që u bë zëri dhe fytyra amerikane gjatë luftës së viteve 1998-1999 në Kosovë, ka thënë sot në Prishtinë se qytetarëve të këtij vendi u ka buzëqeshur fati në ato vite të rënda.

Rubin është kthyer pas disa viteve në Kosovë, kësaj radhe për të folur për përvojat e tij të atyre viteve dhe për sfidat e intervenimeve humanitare në botë pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit, me theks të veçantë në rastet e Kosovës dhe Sirisë.

Sipas Rubin, Kosova është rrëfim suksesi.

“Pata një kënaqësi që erdha përsëri në Kosovë. Kosova është një storie e suksesit. Vendin e kam parë se ka ecur shumë përpara prej herës së fundit kur kam qenë këtu 10 vjet më parë”.

“Kosova ka qenë krenaria ime më e madhe e pjesë e shërbimit tim në Qeverinë dhe sa herë që vij këtu vazhdimisht kam një ndjesi drithëruese për të parë nëse gjërat kanë ecur vërtetë në drejtimin e duhur”.

“Sa herë që e shoh Kosovën, flas me Kryeministrin, ndihem mirë, jam i gëzuar për vendimin e liderëve perëndimorë për t’u angazhuar për të shpëtuar jetën e një populli nga një regjim vërtetë brutal”.

“Ne u desh të intervenonim atje. Kosova është i vetmi vend me konflikte etnike që është parandaluar”.

“Mendoj që ka qenë një fat që i buzëqeshi qytetarëve të këtij vendi”.

“Kishim liderët e duhur në momentin e duhur, në vendin e duhur, në pushtetin dhe forcën dhe instinktet e duhura, me mentalitetin e duhur për të besuar se ishte roli i SHBA’ve që të intervenojë e bashkë me to edhe vendet e tjera. Kjo nuk ndodh shpesh”.

“Jam krenar me Kosovën. Ajo është në një rrugë të drejtë”.

“Ndoshta ju nuk e shihni progresin por ne që vijmë një herë në 10 vjet e shohim atë”.

“Kosova është unike është storje e suksesit”, tha James Rubin.

Panelistët në këtë konferencë gjithashtu folën edhe për ngjashmërinë që mund të ketë historia e Kosovës me atë të luftës në Siri.

Kryeministri Thaçi tha se tashmë nuk bëhet fjalë për intervenim atje por tash është çështja se si do të zhbëhen armët kimike të Assad’it.

Ndërkaq James Rubin thotë se Siria është rast tjetër vetëm disa rrethana mund të jenë të ngjashme.

Sipas Kryeministrit të Kosovës, intervenimi humanitar në Kosovë në vitin 1999 ka qenë “momenti kulmor” në historinë moderne të Kosovës.

“Intervenimi humanitar në Kosovë është njëri ndër pikat kulmore të historisë moderne”.

“Intervenimi ushtarak i perëndimit nga perspektiva e sotme duket si një mrekulli që ka ndodhur në Kosovë”.

Thaçi tha se ky intervenim ka tre faktorë kryesor që krijuan kushtet e duhura për këtë intervenim humanitar.

“E para ka qenë faktori i luftërave dhe konflikteve të mëhershme që në një mënyrë krijuan ndjenjën e fajësisë te politikbërësit në botë. Pas luftës në Kroaci, Bosnje dhe pas gjenocidit në Srebrenicë, lufta e Kosovës kishte mundësi të bëhej më e përgjakshmja dhe më brutalja. Milosevici nuk kishte të ndalur. Kosova ishte pika e fundit që e mbushi kupën”.

“Faktori i dytë ishte faktori njeri. Pak kush e kupton se në botë në këtë kohë erdhi në shprehje një gjeneratë e artë e politikanëve që me të vërtetë kishin ideale dhe kishin vlera të jashtëzakonshme”.

“Presidenti Bill Clinton dhe Hillary Clinton u bënë shembuj të politikave progresive. Kryeministri Tony Blair ishte ndër zërat më parimorë të njerëzimit. Sekretarja Madeleine Albright e dinte nga lëkura e saj se ç’do të thoshte të mbeteshe refugjat.  Edhe z. Solana e kuptonte se NATO nuk ka kuptim nëse nuk vinte në shprehje ndihma për europianët që u bënë viktima të tendencave raciste dhe shfarosëse, siç ishin shqiptarët e Kosovës në atë kohë”.

“Faktori njeri besoj se është ndër momentet më të rëndësishme të këtij rrëfimi se si u krijuan kushtet për intervenim”.

“Faktori i tretë është faktori lokal, është vetë mënyra se si është zhvilluar lufta. Qytetarët e Kosovës kanë tentuar që me metoda paqësore të ndalin Miloshevicin, por ishin thjeshtë vite të humbura”.

“UÇK’ja nuk sulmonte caqe civile në Serbi as kudo. Nuk dërgonim bomba në Beograd as në Novi Sad. Ne e mbronim pragun e shtëpisë, fshatrat dhe familjet tona. Nuk ishte lufta jonë e bazuar në supremaci ndaj një kombi mbi tjetrin. Ishte një luftë e bazuar në të drejtat për liri dhe demokraci”, u shpreh Kryeministri Thaçi.