Krasniqi: Kurti po ikë nga përgjegjësia, prandaj po fshihet prapa seancës së Kuvendit

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka reaguar për thirrjen e seancës së jashtëzakonshme të Kuvendit nga ana e kryeministrit Kurti pas presionit të ndërkombëtarëve për lejimin e mbajtjes së referendumit serb në Kosovë.

Lajme

15/01/2022 13:49

Krasniqi ka thënë me anë të një postimi në Facebook se Kurti nuk ka pse të fshihet prapa seancës së Kuvendit, shkruan lajmi.net.

Ai ka shtuar se qëndrimi i Qeverisë për moslejimin e mbajtjes së referendumit është i drejtë, andaj duke pasur parasysh qëndrimin e opozitës në këtë çështje, sipas tij nuk ka pasur nevojë që të thirret situatë e jashtëzakonshme, shkruan lajmi.net.

“Qëndrimi i Qeverisë për moslejimin e mbajtjes së referendumit të Serbisë në Kosovë është i drejtë. Partia Demokratike e Kosovës dhe partitë e tjera opozitare i kanë shprehur qëndrimet e tyre që janë në linjë me qëndrimin e Qeverisë. Andaj, çfarë arsye ka që të mbledhet Kuvendi për të diskutuar më shumë për këtë temë? Për t’ia rishprehur këto qëndrime njëri-tjetrit? Apo për të gjuajtur përgjegjësinë nga Qeveria te Kuvendi?”, ka shkruar ai.

Ai ka rikujtuar faktin se çfarëdo rezolute që hidhet në votim në Kuvend, nuk është obligative për Qeverinë dhe si e tillë s’ka kurrfarë efekti.

Postimi i plotë nga Krasniqi në Facebook:

Kryeministri Kurti nuk ka pse të fshihet prapa seancës së Kuvendit!

Qëndrimi i Qeverisë për moslejimin e mbajtjes së referendumit të Serbisë në Kosovë është i drejtë. Partia Demokratike e Kosovës dhe partitë e tjera opozitare i kanë shprehur qëndrimet e tyre që janë në linjë me qëndrimin e Qeverisë. Andaj, çfarë arsye ka që të mbledhet Kuvendi për të diskutuar më shumë për këtë temë? Për t’ia rishprehur këto qëndrime njëri-tjetrit? Apo për të gjuajtur përgjegjësinë nga Qeveria te Kuvendi?

Nëse ky është qëllimi, atëherë Kryeministri po frikësohet. Sepse, kompetenca dhe autoriteti është i Qeverisë për të vendosur moslejimin e referendumit dhe për ta zbatuar atë vendim. Pse pra kërkon Kryeministri seancë, nëse ligjërisht kjo është e panevojshme?

Referendumi i Serbisë në Kosovë do të ishte antikushtetues dhe si i tillë është i papranueshëm dhe nuk duhet lejuar. Por, Kushtetutën e ruajnë instrumentet e pushtetit ekzekutiv e jo Rezolutat e Kuvendit, që nuk janë obligative as për Qeverinë.

Prandaj, PDK sot nuk merr pjesë në seancë, sepse nuk duam që të bëhemi pjesë e ikjes së Kryeminstrit nga përgjegjësia e tij ligjore e kushtetuese e as pjesë e shout të tij politik të paramenduar. Krejt çka duhet të bëjë Kryeministri është që të mos tërhiqet nga qëndrimi i tij dhe të sigurojë zbatimin e vendimit për të mos lejuar mbajtjen e referendumit të Serbisë në Kosovë. Ai për këto veprime e ka mbështetjen edhe të partive opozitare, andaj nuk ka nevojë të fshihet pas seancës së sotme të Kuvendit. /Lajmi.net/