Kraki për Gjyqin në Hagë: Shpresoj që do t’ia dalim ta fitojmë apelin
Pas zgjedhjes së Presidentes së re të Republikës së Kosovës, Justina Shiroka – Pula, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Nezir Kraki në një intervistë për Kosovapress ka theksuar që nuk ka asnjë vërejtje për zgjedhjen e Shiroka Pulës. “Profesoresha e nderuar gëzon respekt për profilin intelektual, historikun familjar, qetësinë dhe urtësinë që e ka treguar ndër…
Lajme
Pas zgjedhjes së Presidentes së re të Republikës së Kosovës, Justina Shiroka – Pula, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Nezir Kraki në një intervistë për Kosovapress ka theksuar që nuk ka asnjë vërejtje për zgjedhjen e Shiroka Pulës.
“Profesoresha e nderuar gëzon respekt për profilin intelektual, historikun familjar, qetësinë dhe urtësinë që e ka treguar ndër vite. Absolutisht asnjë vërejtje. Urime asaj, urime të gjithëve”, ka thënë Kraki.
Poashtu deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Nezir Kraki, ka komentuar qëndrimin e LDK-së lidhur me procesin ku u votua Justina Shiroka – Pula si presidente të Republikës së Kosovës.
“LDK-ja ka qëndruar në atë vijë që e ka pasur. Për president, mirë do të kishte qenë ta votonte, por erdhi, u bë pjesë e festës”, ka deklaruar Kraki për KosovaPress.
Përveç presidentes, edhe një çështje tjetër mori epilog të martën mbrëma.
Ligji për Dhomat e Specializuara mori dritën e gjelbër nga të zgjedhurit e popullit. Deputeti Kraki ka thënë që tashmë ka hapësirë për t’iu qasur siç tha ai, dosjes në Hagë.
“Ligji për Dhomat e Specializuara është i duhur. Tash që kemi Kuvend fuqiplotë në mandat, ka hapësirë për një pako më agresive për t’iu qasur dosjes së Hagës, si zhbërjen dhe kontrollin e saj”, tha Kraki
Sa i përket procesit të apelit në Gjyqin ndaj ish krerëve të UÇK-së në Hagë, deputeti i LVV-së ka thënë se ky ligj nuk mund të ndikojë në të, pasi apeli do të zhvillohet në kuadër të ligjeve ekzistuese.
“Ky ligj, fatkeqësisht, nuk mund të ndikojë në apel. Apeli do të organizohet në kuadër të ligjeve ekzistuese. Ne do të mobilizohemi të gjithë ta fitojmë apelin” theksoi Kraki.
Deputeti i VV-së ka thënë se shpreson se përmes mobilizimit shtetëror dhe një strategjie të fortë, do të arrihet fitorja në apel.
“Lufta do të zhvillohet në arenën që veçse ekziston, atje ku ka ndodhur gabimi i vitit 2015 dhe i vendimeve të tashme. Kam shpresë që, me mobilizim masiv shtetëror dhe strategji të fortë, do t’ia dalim ta fitojmë apelin” tha Kraki.
Ai ka folur edhe për mbrojtjen e vlerave të luftës së UÇK-së dhe të njerëzve që, sipas tij, kanë kontribuar për vendin.
“Për të ardhmen, ky ligj dhe ligje të tjera do të na mbrojnë dhe do t’i mbrojnë vlerat e luftës, UÇK-në dhe njerëzit që kanë kontribuar për këtë vend”, ka përfunduar Kraki.