KQZ vendos afatet për partitë politike, koalicione apo në garë të vetme
Të gjitha partitë politike që aktualisht janë të regjistruara në Kosovë, janë obliguar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve që ta njoftojnë këtë institucion për pjesëmarrje apo mospjesëmarrje në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës, të cilat do të mbahen më 7 qershor 2026. Deri në këtë datë, partitë politike janë të obliguara që ta…
Lajme
Të gjitha partitë politike që aktualisht janë të regjistruara në Kosovë, janë obliguar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve që ta njoftojnë këtë institucion për pjesëmarrje apo mospjesëmarrje në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës, të cilat do të mbahen më 7 qershor 2026.
Deri në këtë datë, partitë politike janë të obliguara që ta njoftojnë KQZ-në në rast se duan të marrin pjesë në këto zgjedhje përmes koalicionit.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka shpjeguar për KosovaPress, se njoftimi i pjesëmarrjes apo mospjesëmarrjes në zgjedhje është obligim vetëm për 53 partitë politike që aktualisht janë të regjistruara dhe aktive në Kosovë.
“Të gjitha partitë politike të regjistruara në Kosovë, janë të obliguara që në një afat prej 7 ditësh, pra nga 1 maji deri më 7 maj, të njoftojnë KQZ-në, për pjesëmarrje ose mospjesëmarrje në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës. Ky obligim vlen vetëm për 53 partitë politike që aktualisht janë pjesë e regjistrit të partive politike në Kosovë, pra jo edhe për subjektet politike që duan të marrin pjesë në zgjedhje si nisma qytetare apo kandidatë të pavarur”, njoftoi Elezi.
Po ashtu, Elezi tregoi se deri më 7 maj, partitë politike kosovare kanë afat që të njoftojnë KQZ-në në rast se duan të marrin pjesë në zgjedhje përmes koalicionit. Ai kujtoi se ligji ka bërë disa rregullime se për të drejtat dhe detyrimet e partive politike kur hyjnë në koalicion.
“Sipas Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, partitë politike të cilat janë të regjistruara në KQZ dhe të cilat duan të marrin pjesë në zgjedhjet e parakohshme përmes koalicionit duhet ta njoftojnë KQZ, respektivisht Zyrën për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollim Financiar të Subjekteve Politike se duan të marrin pjesë në këto zgjedhje në këtë mënyrë. Afati i fundit për të bërë këtë njoftim është data 7 maj 2026. Koalicioni mund të ndërtohet nga së paku dy parti politike dhe sipas ligjit, partia politike nuk mund të tërhiqet nga koalicioni pasi të jete certifikuar derisa rezultati i zgjedhjeve të certifikohet nga ana e KQZ. Gjithashtu partia politike e cila është anëtare e koalicionit nuk mund të marrë pjesë si anëtare në një koalicion tjetër apo edhe si parti e veçantë në të njëjtat zgjedhje”, tha Elezi.
Në zgjedhjet e rregullta parlamentare të shkurtit të vitit 2025, morën pjesë 28 subjekte politike, prej të cilave 20 parti politike, 5 koalicione, 2 nisma qytetare dhe 1 kandidat i pavarur.
Ndërkaq, në zgjedhjet e parakohshme parlamentare që u mbajtën në fund të dhjetorit, garuan 24 subjekte politike, prej të cilave 18 parti politike 3 koalicione; 2 iniciativa qytetare dhe 1 kandidat i pavarur./kp