KQZ refuzon certifikimin e Listës Serbe – falë votave të PDK-së, LDK-së dhe AAK-së
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka refuzuar certifikimin e Listës Serbe për pjesëmarrje në zgjedhjet lokale që pritet të mbahen këtë vjeshtë në disa komuna me shumicë serbe. Vendimi u mor pas votimit të propozimit të Zyrës për Certifikim, i cili rekomandonte lejimin e kësaj partie në garë. Rezultatet e votimit ishin si vijon: 2…

Lajme
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka refuzuar certifikimin e Listës Serbe për pjesëmarrje në zgjedhjet lokale që pritet të mbahen këtë vjeshtë në disa komuna me shumicë serbe. Vendimi u mor pas votimit të propozimit të Zyrës për Certifikim, i cili rekomandonte lejimin e kësaj partie në garë.
Rezultatet e votimit ishin si vijon: 2 vota ishin “për” certifikim, 2 vota “kundër”, ndërsa 7 anëtarë abstenuan. Kjo bëri që propozimi për certifikimin e Listës Serbe të mos kalojë, për shkak të mungesës së shumicës së nevojshme, transmeton lajmi.net
Lëvizja Vetëvendosje, e vetmja që votoi hapur kundër certifikimit, kishte kohë që po zhvillonte një fushatë politike dhe institucionale për ta penguar pjesëmarrjen e Listës Serbe në zgjedhje. Anëtarët e saj në KQZ, përfshirë Alban Krasniqin dhe Sami Kurteshin, kishin përdorur gjuhë të ashpër kundër këtij subjekti politik, duke e cilësuar si “dorë të zgjatur të regjimit të Vuçiqit” dhe me “trashëgimi terroriste”.
Ndërkohë, partitë opozitare PDK, LDK dhe AAK zgjodhën të abstenojnë, duke mos marrë një qëndrim të qartë as pro, as kundër. Me këtë, ato ndikuan drejtpërdrejt në moskalimin e certifikimit, pavarësisht që vetë nuk e kundërshtuan hapur.
E rëndësishme është se Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, e udhëhequr nga Donika Gërvalla, nuk kishte dërguar asnjë vërejtje për ndonjë nga 238 kandidatët e Listës Serbe, çka do të nënkuptonte se nuk kishte asnjë pengesë ligjore për certifikim. Ky fakt ishte edhe baza e rekomandimit të Zyrës për Certifikim të KQZ-së për ta lejuar këtë subjekt në zgjedhje.
Ky zhvillim ndodh pas deklaratës së sotshme së ngarkuarës me punë në Ambasadën Amerikane në Prishtinë, Anu Pratipatti, e cila tha qartazi se SHBA-të janë kundër çdo përpjekjeje për përjashtimin e ndonjë subjekti politik nga zgjedhjet, dhe kërkoi që serbët e Kosovës të kenë të drejtën e tyre të plotë për përfaqësim demokratik./lajmi.net/