KQZ: Më shumë se 16 mijë zarfe nga diaspora janë pranuar

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka aprovuar deri më tani më shumë se 16 mijë zarfe ndërkaq ka refuzuar 6 mijë e 800 të tjera me vota nga diaspora.

Lajme

21/02/2021 15:31

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi u ka thënë mediave të dielën se më shumë se 5 mijë prej zarfeve janë refuzuar për shkak se janë dërguar nga persona që nuk janë të regjistruar si votues jashtë Kosovës dhe për shkak se janë dërguar nga persona që janë refuzuar në periudhën e aplikimit.

“Deri më tani janë trajtuar një pjesë e këtyre pakove dhe pas procesit të vlerësimit janë aprovuar më shumë se 16 mijë zarfe me fletëvotime, ndërsa janë refuzuar 6 mijë e 800 të tjera. Arsyet e refuzimit të tyre janë nga më të ndryshme. Pjesa më e madhe e tyre, më shumë se 5 mijë, janë refuzuar për shkak se janë dërguar nga persona që nuk janë të regjistruar si votues jashtë Kosovës dhe për shkak se janë dërguar nga persona që janë refuzuar në periudhën e aplikimit. Arsyet tjera se përse nuk janë aprovuar kanë të bëjnë me faktet se ato janë dërguar nga votues të paidentifikuar (votim grupor); se në pakon që e kanë dërguar kanë bashkangjitur dokumente jo-valide; dhe se kanë dërguar fletëvotime më shumë se dy herë”, ka thënë Elezi.

Sipas Elezit disa nga aktivitetet që po zhvillohen në QNR pothuajse janë në fund, siç është skanimi i listës përfundimtare të votuesve si dhe futja e të dhënave nga formularët e rezultateve të kandidatëve dhe subjekteve politike.

“Po ashtu, shërbimi votues i KQZ-së është duke vijuar me procesin e vlerësimit të rreth 43 mijë e 500 pakove të supozuara me fletëvotime dhe selektimin e tyre, të cilat i kemi pranuar gjatë periudhës së votimit përmes postës. Ky proces verifikimi do të na ndihmojë që të japim përgjigje se sa është numri i saktë i fletëvotimeve nga jashtë vendit”, ka thënë Elezi. /Lajmi.net/