Kostoja e rëndë e jetës – Gati 390 mijë qytetarë të Kosovës janë në kredi, borxhi arrin në mbi 6.5 miliardë euro

Në fund të vitit 2025, kreditë vazhdojnë të mbeten një nga shtyllat kryesore të financimit për qytetarët dhe bizneset në Kosovë, duke reflektuar njëkohësisht nevojat ekonomike, koston e jetesës dhe nivelin e konsumit në vend. Madje kreditë vazhdojnë të jenë “shpëtimtari” i vetëm i kosovarëve në kohët e vështira. Kësisoj, shumë qytetarë që nuk arrijnë…

Lajme

01/01/2026 20:01

Në fund të vitit 2025, kreditë vazhdojnë të mbeten një nga shtyllat kryesore të financimit për qytetarët dhe bizneset në Kosovë, duke reflektuar njëkohësisht nevojat ekonomike, koston e jetesës dhe nivelin e konsumit në vend.

Madje kreditë vazhdojnë të jenë “shpëtimtari” i vetëm i kosovarëve në kohët e vështira. Kësisoj, shumë qytetarë që nuk arrijnë ta sigurojnë as banimin, e as një veturë apo diçka te ngjashme për jetesë, zgjidhjen e vetme e bëjnë përmes kredive.

Ngjashëm vepruan shumë kosovarë edhe më 2025, ku shumë prej tyre hyn në kredi bankare- nën arsyet e shumta për mbulime të shpenzimeve apo investimeve familjare.

Disa prej tyre zgjodhën që në kredi të futen edhe për çështje biznesore- duke e mundësuar një investim sado të vogël për veten.

Sipas të dhënave zyrtare të siguruara nga Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK) për lajmi.net, aktualisht 389,338 persona fizikë rezidentë dhe jo-rezidentë, përkatësisht qytetarë të Kosovës, kanë kredi aktive në bankat komerciale që operojnë në vend.

Po ashtu, nga përgjigjet e kthyera nga BQK, bëhet e ditur se vetëm gjatë këtij viti 41,437 qytetarë kanë hyrë për herë të parë në kredi, çka dëshmon për një trend të vazhdueshëm të rritjes së huamarrjes, veçanërisht nga familjet që deri më tani nuk kanë qenë pjesë e sistemit bankar.

Sa i përket vlerës së përgjithshme të kredive, BQK i ka konfirmuar lajmit se deri në muajin tetor 2025, shuma e mbetur e kredive aktive (outstanding) në Kosovë arrin në 6.5 miliardë euro. Nga kjo shumë, 2.7 miliardë euro janë kredi të marra nga persona fizikë rezidentë dhe jo-rezidentë, ndërsa 3.8 miliardë euro u përkasin personave juridikë, përkatësisht bizneseve.

Kësisoj këto shifra saktësojnë faktin se kosovarët në fakt janë të “zhytur” thellësisht në kredi bankare.

Të dhënat e dërguara nga Banka Qendrore e Kosovës tregojnë se, ndonëse bizneset mbajnë peshën më të madhe të portofolit kreditor, kreditë e qytetarëve përbëjnë një pjesë të konsiderueshme të huamarrjes totale në vend dhe vazhdojnë të shënojnë rritje.

Ndërkohë, nga BQK u potencua se aktualisht në të gjithë territorin e Kosovës operojnë 10 banka komerciale, të cilat ofrojnë produkte të ndryshme kreditore për qytetarët dhe sektorin e biznesit. Krahasuar me vitin e kaluar, kur në Kosovë operonin 11 banka komerciale, ky reduktim i numrit të bankave vjen si rezultat i ndryshimeve në tregun financiar dhe proceseve të konsolidimit në sektorin bankar. Megjithatë, autoritetet vlerësojnë se sistemi bankar vazhdon të mbetet stabil dhe funksional, me kapacitet të mjaftueshëm për të ofruar shërbime financiare për qytetarët dhe bizneset.

Ekspertët e ekonomisë vlerësojnë se këto shifra reflektojnë sfidat financiare me të cilat përballen qytetarët, veçanërisht në një periudhë të rritjes së çmimeve dhe pasigurisë ekonomike. Ata theksojnë se, ndonëse inflacioni ka shënuar rënie në periudha të caktuara, kjo nuk është reflektuar në ulje reale të barrës financiare për familjet kosovare.

Sipas të dhënave ekonomike, inflacioni në muajin gusht arriti në 4.5 përqind, me rritje të ndjeshme të çmimeve për energjinë elektrike (17 përqind) dhe produktet ushqimore (9.2 përqind). Derisa si pasojë, familjet në Kosovë po përballen me shpenzime gjithnjë e më të larta, duke shpenzuar më shumë, por duke blerë më pak, çka po ndikon drejtpërdrejt në standardin e jetesës.

Në anën tjetër, industria përpunuese, tregtia dhe ndërtimtaria janë identifikuar si sektorët kryesorë që kanë mbështetur rritjen ekonomike, ndërkohë që importet e larta të mallrave dhe shërbimeve kanë reflektuar rritjen e kërkesës së brendshme, sidomos pas liberalizimit të vizave.

Sektori bankar, ndërkohë, ka shënuar rritje të shpejtë të kredive dhe depozitave, duke regjistruar edhe fitime më të larta, si rezultat i rritjes së të hyrave krahasuar me shpenzimet. Pavarësisht kësaj, është vërejtur një rënie e lehtë e treguesit të mjaftueshmërisë së kapitalit dhe ulje e likuiditetit, megjithëse këta tregues vazhdojnë të mbeten mbi nivelet rregullatore.

Po ashtu, sektori pensional ka shënuar rritje të shpejtë të aseteve, kryesisht falë kthimeve pozitive nga tregjet ndërkombëtare. Edhe sektori i sigurimeve dhe ai mikrofinanciar kanë regjistruar përmirësim të performancës dhe rritje të fitimeve, duke ruajtur stabilitetin dhe qëndrueshmërinë e portofolit të kredive. /Lajmi.net/