Të Infektuar: 1147

Të Shëruar: 874

Të Vdekur: 30

Kosovarët mund të mbesin të izoluar deri në fillim të 2021-ës

18:47 | 7 Prill 2020

Kosova edhe më tutje vazhdon të mbetet jashtë zonës schengen të BE-së.

Qytetarët e Kosovës janë të vetmit në Ballkanin Perëndimor të cilët nuk mund të lëvizin pa viza drejt vendeve të Bashkimit Evropian.

Vendimi për liberalizimin e vizave është vendim politik, pavarësisht se Kosova mund të ketë përmbushur kriteret që i janë kërkuar nga Bashkimi Evropian.

Donika Emini, drejtoreshë ekzekutive e Platformës CiviKos, në një intervistë dhënë për lajmi.net, ka bërë të ditur se ky vendim është politik dhe se vendet anëtare si Franca dhe Holanda janë ato që e kundërshtojnë fuqishëm liberalizimin e vizave.

Sipas saj, shumëkush pasi që Kroacia e ka marrë udhëheqjen e Presidencës Evropiane për gjashtë muaj, çështja e liberalizimit do të ishte prioritet kryesor, mirëpo një gjë e tillë nuk ndodhi.

Emini thotë për lajmi.net, se kur Gjermania të marrë kryesimin e PE-së, edhe mund të shpresojmë të kemi liberalizimin e vizave dhe Gjermania ta marrë këtë meritë dhe t’ia bëj një “shpërblim” Kosovës.

“Kemi shpresua që në gjysmën e parë të vitit, Kroacia e mori përsipër për hapjen e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut dhe ata e thanë në mënyrë eksplicite që Kosova dhe liberalizmi i vizave nuk është në agjendë sepse është pritur që në gjashtë mujorin e dytë kur ta merr Gjermania Presidencën ta ecë këtë çështje tutje së bashku me Francën edhe do me thënë si simbolikë që Gjermania me bërë diçka për si Kosova që e ka mbështetur vazhdimisht”, u shpreh ajo.

Mirëpo, edhe nëse në shtator merret vendimi për liberalizimin e vizave për Kosovën, qytetarët nuk mund të lëvizin pa viza drejt vendeve të BE-së deri në fillim të vitit 2021.

“Mirëpo, kjo nuk do të thotë se edhe nëse merret vendimi ne menjëherë do të mund të lëvizim pa viza gjatë këtij viti nëse ata veç ata zakonisht takohen në shtator dhe nëse e marrin vendimin në atë kohë i bije që të presim edhe gjashtë muaj që të lëvizim lirshëm drejt vendeve të BE-së deri sa të hyjnë në fuqi vendimet. Andaj në një skenar më optimist ndoshta fillimi i vitit të ardhshëm do të na gjejë pa viza”, ka treguar Emini. /Lajmi.net/

Video: