Kosova priu me numrin e turistëve të huaj në Shqipëri gjatë korrikut, italianët në vendin e dytë
Kosova ishte vendi që dërgoi numrin më të madh të turistëve të huaj në Shqipëri gjatë korrikut të këtij viti. Të dhënat e Institutit të Statistikave të Shqipërisë tregojnë se kosovarët përbënin 18 për qind të vizitorëve të jashtëm. Pas Kosovës renditet Italia me 13 për qind, ndërsa Polonia me 11 për qind. Vizitorët nga…
Lajme
Kosova ishte vendi që dërgoi numrin më të madh të turistëve të huaj në Shqipëri gjatë korrikut të këtij viti.
Të dhënat e Institutit të Statistikave të Shqipërisë tregojnë se kosovarët përbënin 18 për qind të vizitorëve të jashtëm.
Pas Kosovës renditet Italia me 13 për qind, ndërsa Polonia me 11 për qind.
Vizitorët nga Franca përbënin 7 për qind të numrit të përgjithshëm. Ata nga Gjermania kishin pjesëmarrje prej 6 për qind.
“Në korrik 2026, numri i vizitorëve që qëndruan në strukturat akomoduese në Shqipëri u rrit me 15,2 për qind”, thuhet në raportin e INSTAT-it, transmeton KosovaPress.
Krahasimi është bërë me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Gjatë korrikut, strukturat akomoduese në Shqipëri, pritën sipas INSTAT, gjithsej 816 mijë e 563 vizitorë.
Prej tyre, 622 mijë e 660 ishin të huaj, ndërsa 193 mijë e 903 ishin banorë vendës.
Numri i vizitorëve të huaj u rrit me 18,3 për qind. Rritja e vizitorëve vendës arriti në 6,4 për qind.
Statistikat e INSTAT-i kanë regjistruar rritje edhe të netqëndrimeve. Numri i tyre u shtua me 14 për qind krahasuar me korrikun e vitit të kaluar.
Netqëndrimet e turistëve të huaj u rritën me 17,3 për qind. Ato të vizitorëve vendës shënuan rritje prej 4,4 për qind.
Interesimi më i madh ishte për zonat bregdetare, ku u regjistruan 629 mijë e 125 vizitorë.
Rajoni jugor priti 317 mijë e 981 turistë, duke kryesuar në nivel vendi. Rajoni verior regjistroi 256 mijë e 643, ndërsa ai qendror 241 mijë e 939 vizitorë.
Rritje është shënuar edhe në shfrytëzimin e kapaciteteve hoteliere. Norma e shfrytëzimit të dhomave arriti në 55,3 për qind.
Në korrik 2025, kjo normë ishte 52,9 për qind. Rritja llogaritet në 2,4 pikë përqindjeje.
Të dhënat përfshijnë hotelet, akomodimet e ngjashme, shtëpitë e pushimit dhe kampingjet e regjistruara në Shqipëri, thuhet në raportin e statistikave të INSTAT.