Kosova përballet me vërshime të shumta, auditimi kishte treguar mangësi në menaxhimin e emergjencave
Kosova po përballet këto ditë me vërshime të shumta në shumë qytete, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme në shtëpi, biznese dhe infrastrukturë. Sipas një raporti të Zyres Kombëtare të Auditimit të vitit 2021 për performancën “Parandalimi dhe reagimi ndaj situatave emergjente: Vërshimet”, institucionet përgjegjëse nuk kanë arritur të krijojnë një sistem efektiv për parandalimin dhe…
Lajme
Kosova po përballet këto ditë me vërshime të shumta në shumë qytete, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme në shtëpi, biznese dhe infrastrukturë.
Sipas një raporti të Zyres Kombëtare të Auditimit të vitit 2021 për performancën “Parandalimi dhe reagimi ndaj situatave emergjente: Vërshimet”, institucionet përgjegjëse nuk kanë arritur të krijojnë një sistem efektiv për parandalimin dhe reagimin ndaj përmbytjeve në vend, transmeton lajmi.net.
Subjekt i auditimit ishin Agjencia për Menaxhim Emergjent në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme, Qendra e Situatave në kuadër të Këshillit të Sigurisë së Kosovës dhe Forca e Sigurisë së Kosovës, ndërsa në nivel lokal u shqyrtuan komunat Gjakovë dhe Vushtrri për shkak të shpeshtësisë së fatkeqësive gjatë viteve 2019, 2020 dhe janarit 2021.
Auditimi kishte nxjerrë në pah se mungonte një sistem i qartë dhe funksional për menaxhimin e emergjencave, dhe për këtë ishin dhënë 11 rekomandime për përmirësim.
Megjithatë, niveli i zbatimit të këtyre rekomandimeve mbetet i ulët, vetëm 37% e tyre janë zbatuar plotësisht deri në vitin 2023./lajmi.net/