Kosova më 13 qershor nënshkruan marrëveshje për bashkëpunim në mbrojtje me SHBA
Edhe këtë vit Kosova do të jetë nikoqir i ushtrimit më të madh ushtarak amerikan në Evropë që planifikohet dhe organizohet nga ushtria e Shteteve të Bashkuara për Evropë dhe Afrikë – Defender Europe 2025, ndërsa më 13 qershor do të nënshkruhet marrëveshja kornizë për bashkëpunim në mbrojtje me SHBA-në. Kështu tha kryeministri në detyrë…

Lajme
Edhe këtë vit Kosova do të jetë nikoqir i ushtrimit më të madh ushtarak amerikan në Evropë që planifikohet dhe organizohet nga ushtria e Shteteve të Bashkuara për Evropë dhe Afrikë – Defender Europe 2025, ndërsa më 13 qershor do të nënshkruhet marrëveshja kornizë për bashkëpunim në mbrojtje me SHBA-në.
Kështu tha kryeministri në detyrë i Kosovës Albin Kurti derisa potencoi se këtë vit Kosova është përzgjedhur shteti ku Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të vendosin komandën e divizionit të saj prej kur do të udhëhiqen të gjitha operacionet që do të kryhen në rajonin e Ballkanit.
Në mbledhjen e 58-të të Këshillit të Përgjithshëm, kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti bëri të ditur se kjo është hera e tretë që Kosova pret në territorin e saj një ushtrim ushtarak të tillë, ku do të angazhohen mbi një mijë ushtarë të Forcave të Sigurisë së Kosovës brenda dhe jashtë vendit tonë.
“Më 13 qershor në Uashington, në Departamentin e Mbrojtjes nga ministri ynë i Mbrojtjes dhe përfaqësuesit e Departamentit të Mbrojtjes së SHBA-së do të nënshkruhet marrëveshja kornizë për bashkëpunim në mbrojtje që përfshinë periudhën 2025-2030… Kjo marrëveshje ndërqeveritare e fushës së mbrojtjes përfshin shumë aspekte të bashkëpunimit nga ushtrimet dhe trajnimet, te bashkë zbarkimet ndërkombëtare dhe nga ndërtimi i kapaciteteve ushtarake drejt bashkë investimet në industrinë e mbrojtjes”, tha Kurti.
Kurti tha se për të bërë hapa përmbajtjesor drejt anëtarësimit në NATO është investuar posaçërisht në ushtrinë. Ai tha se në mandatin e tij është bërë dyfishimi i ushtarëve, trefishimi i buxhetit, katërfishimi i trajnimeve jashtë vendit dhe qindfishim në blerje armatimi e municioni.