“Kosova lulëzon, Gjermania është buzë recensionit”, ambasada gjermane thotë se interesimi i kosovarëve për viza pune s’është zvogëluar
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla gjatë pothuajse gjithë fushatës zgjedhore kanë thënë se zhvillimi ekonomik në Kosovë ka “lulëzuar” aq shumë, sa në vendin e tyre po kthehen edhe mërgimtarët që jetojnë në Kosovë. “Kanë me nis me ardh e me u kthy gjithnjë e…
Lajme
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla gjatë pothuajse gjithë fushatës zgjedhore kanë thënë se zhvillimi ekonomik në Kosovë ka “lulëzuar” aq shumë, sa në vendin e tyre po kthehen edhe mërgimtarët që jetojnë në Kosovë.
“Kanë me nis me ardh e me u kthy gjithnjë e ma shumë prej diasporës në Kosovë, se kur janë shku në vitet e 90’ta këtu ka qenë terrori i Serbisë e apartheidi, e kur kanë shku në Gjermani atje, azilin ua kanë dhanë menjëherë, banesën ja u kanë gjet, edhe Gjermania pat lulëzu se u pat bashku e u shndërru në motorin e industrisë Evropiane. Mirëpo sot, të dashur qytetarë, Kosova po lulëzon dhe Gjermania është buzë recensionit. Kanë me u kthy bashkatdhetarët tanë, por ne duhet të jemi të përgatitur”, pati thënë Kurti.
Biles, ministrja Gërvalla këtë “dukuri” e ka ilustruar me shembuj konkret, shkruan lajmi.net.
“Unë takoj në aeroplan çdoherë që kanë ikur para një kohe jo shumë të gjatë, edhe po kthehen përsëri sepse kanë konstatuar se jo gjithçka në Gjermani, Zvicër, Suedi e shtete tjera është kaq e lehtë sa duket nga distanca. Është e vërtetë që Evropa Perëndimore është duke u përballur me vështirësi të mëdha ekonomike, është e vërtetë që Evropa Perëndimore është duke vuajtur nga një gjendje instabiliteti siç i shihni Gjermania, ka zgjedhje të parakohshme, presidenti francez përballet me sfida të shumta. Nuk jemi në vitin 1990 deri vitin 2000 ku pati në hov të jashtëzakonshëm Gjermania”, ka thënë Gërvalla pak ditë më parë.
Se ka prej atyre që po kthehen në vendlindje nuk kemi dëshmi, por se shumë prej kosovarëve po aplikojnë për viza pune në Gjermani na e ka thënë edhe ambasada gjermane në Kosovë.
“Po. Në vitet e fundit seksioni i vizave të ambasadës ka qenë ndër më të mëdhenjtë në botë dhe këtë pozitë – së paku sa i përket vizave të punës – do ta ketë ruajtur edhe në vitin 2024. Aktualisht nuk duket se interesimi për nisje të punësimit në Gjermani është zvogëluar“, ka thënë ambasada gjermane në Kosovë për lajmi.net.
Ambasada gjermane gjithashtu ka thënë se mund të ketë prej tyre që kthehen në Kosovë, por përsëri ata vazhdojnë të punojnë për kompani gjermane, shkruan lajmi.net.
Sipas ambasadës këta që kthehen në Kosovë, sërish kontribuojnë në marrëdhëniet në mes dy shteteve.
“Ambasada në mënyrë të përsëritur është vënë në dijeni për raste individuale, kur nënshtetasit kosovarë janë kthyer, punojnë këtu në Kosovë për ndërmarrje gjermane dhe kontribuojnë kështu në marrëdhëniet tona bilaterale“, thuhet në përgjigjen e ambasadës gjermane.
Sipas kësaj përgjigje, edhe ata pak persona që kthehen në Kosovë kontribuojnë në tregun gjerman si punonjës pasi që zakonisht paguhen dhe funksionojnë në bazë të ligjeve të shtetit gjerman.
Edhe pse, të parët e shtetit po e paraqesin Gjermaninë si një shtet buzë recensionit, ky shtet po vazhdon të mbetet “ëndrra” e kosovarëve dhe shumë shtetasve të huaj nëpër botë.
Madje Gjermania vazhdon të jetë “streha” më e dashur e shumë popujve, të cilët shpesh herë për të studiuar, punuar apo edhe për të aplikuar për azil zgjedhin këtë vend. Derisa shteti i Kosovës ka problemet bazike në rregullimin e jetës së qytetarëve dhe paga minimale u rrit së fundi në 350 euro, mungojnë sigurimet shëndetësore, çmimet janë shumëfish më shtrenjtë se kudo tjetër, arsimi ka probleme të shumta e ekonomia s’ka ndonjë zhvillim mahnitës, sigurisht se Gjermani do vazhdojë të jetë edhe për shumë kohë “dera e shpresës” për kosovarët, sidomos për të rinjtë./Lajmi.net/