Kurti për “Le Monde”: Kosova ndihet e cenueshme nga tensionet gjeopolitike, por nuk kërkon rrugë të shkurtra drejt BE-së
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një intervistë për gazetën prestigjioze franceze “Le Monde”, ka folur për situatën gjeopolitike, raportet me Serbinë, procesin e integrimit evropian dhe prioritetet e Qeverisë së Kosovës. Duke komentuar agresionin rus ndaj Ukrainës, Kurti ka thënë se zhvillimet aktuale tregojnë rikthimin e historisë në skenën botërore, duke shtuar se Kosova…
Lajme
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një intervistë për gazetën prestigjioze franceze “Le Monde”, ka folur për situatën gjeopolitike, raportet me Serbinë, procesin e integrimit evropian dhe prioritetet e Qeverisë së Kosovës.
Duke komentuar agresionin rus ndaj Ukrainës, Kurti ka thënë se zhvillimet aktuale tregojnë rikthimin e historisë në skenën botërore, duke shtuar se Kosova ndihet e cenueshme në një kohë të tensioneve të shtuara gjeopolitike.
“Agresioni rus ndaj Ukrainës tregon se historia po rikthehet në skenën botërore me më shumë forcë se kurrë në këtë shekull”, ka deklaruar Kurti.
Gjatë qëndrimit treditësh në Paris, Kurti pritet të zhvillojë takime me presidentin francez, Emmanuel Macron, ku ndër temat kryesore pritet të jenë mbështetja e Francës për Kosovën dhe organizimi i Lojërave Mesdhetare Prishtina 2030.
Sipas “Le Monde”, Kosova ka siguruar një kredi prej 60 milionë eurosh nga Agjencia Franceze për Zhvillim për ndërtimin e fshatit ndërkombëtar të sportistëve.
Në intervistë, Kurti ka folur edhe për rrugën e Kosovës drejt Bashkimit Evropian, duke theksuar se vendi nuk kërkon trajtim të privilegjuar në procesin e integrimit.
“Ne nuk duam rrugë të shkurtra, procedura të përshpejtuara apo dyer të pasme drejt Bashkimit Evropian, por një proces të bazuar në meritë”, ka thënë ai.
Kreu i Qeverisë ka veçuar tri fusha si prioritete për katër vjetët e ardhshme: reformën në drejtësi, administratën publike dhe arsimin.
“Ne duhet t’i përfundojmë reformat në drejtësi, administratë publike dhe arsim. Këto janë tri prioritetet tona për katër vjetët e ardhshme”, ka deklaruar Kurti.
Ai ka komentuar edhe raportet me Serbinë, duke e cilësuar atë si një fqinj armiqësor që vazhdon të mbështetet nga Rusia.
Sa i përket zhvillimeve politike në Serbi, Kurti ka thënë se ende nuk është e qartë se kush ka dalë fitues nga zhvillimet e fundit politike.
“Ne e dimë se kush ka humbur, por ende nuk e dimë se kush ka fituar”, ka deklaruar ai.
Në aspektin ekonomik, Kurti ka folur për përpjekjet e Kosovës për të tërhequr investime të huaja në energji dhe infrastrukturë, duke përmendur edhe projektet e energjisë së erës, digat dhe modernizimin e linjave hekurudhore.
Ai ka theksuar se transporti hekurudhor ka rëndësi jo vetëm për zhvillimin ekonomik, por edhe për sigurinë e vendit, duke marrë si shembull përvojën e Ukrainës. /Lajmi.net/