Kosova dërgon 5 atashetë e parë policorë

12:35 | 24 Janar 2014

petrit rrrahmani policia_11

Policia e Kosovës ka zgjedhur 5 atashetë e parë të cilët do të dërgohen në misionet diplomatike jashtë vendit. Ministrat Rexhepi dhe Hoxhaj e quajtën këtë ditë të madhe, ndërkaq, Drejtori i Policisë, Shpend Maxhuni tha se ky është një hap i rëndësishëm.

Janë zgjedhur 5 atashetë e parë të cilët do të dërgohen nëpër ambasadat dhe konsulatat në vendet e ndryshme të botës.

Bekim Aliaj do të dërgohet në Vjenë, Ardita Fetahu në Paris, Jeton Krasniqi në Bruksel, Alban Sopjani në Berlin dhe Blerim Bajraku në Ankara.

Në ceremoninë e inaugurimit të zyrtarëve të parë ndërlidhës nga Policia e Kosovës në misionet diplomatike jashtë vendit, Ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi e quajti këtë ditë të madhe.

Ai tha se 5 atashetë do të jenë pasqyra e Kosovës në botë, zyrtarë që do të thellojnë bashkëpunimin me shtetet nikoqire në sektorin e sigurisë.

“Është një ditë e madhe sot në përgjithësi për institucionet e Kosovës dhe jo vetëm për Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe Policisë, dhe për Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe në përgjithësi për Qeverinë e Kosovës që më në fund, mbas një procedure të rekrutimit, ka qenë një proces transparent dhe nuk ka qenë i lehtë”.

Foto: Petrit Rrahmani, Lajmi.net

 

“Mendoj se janë përzgjedhur kandidatët më të mirë të cilët do ta përfaqësojnë Kosovën nëpër misionet tona diplomatike në kuadër të ambasadave dhe do ta plotësojnë një segment i cili pak a shumë ka qenë i mangët”.

“Ju poashtu jeni përfaqësues dhe pasqyrë e shtetit të Kosovës dhe do të keni një bashkëpunim të ngushtë me vendet nikoqire dhe po ashtu një bashkëpunim të ngushtë me përfaqësuesit tonë diplomatik në mënyrë që të përforcohet bashkëpunimi jonë në sektorin e sigurisë”.

“Në aspektin e sigurisë, nuk kemi pasur përfaqësues të profesionit të cilët do të bashkëpunojnë ngushtë me autoritetet nikoqire ku shkojnë zyrtarët tonë ndërlidhës”.

Ministri Rexhepi pret që në të ardhmen, numri i atasheve të rritet.

“Mendoj se ky është fillimi në bazë të kapaciteteve dhe mundësive buxhetore por që në të ardhmen shpresoj që numri i këtyre zyrtarëve ndërlidhës do të rritet dhe do jenë prezent në vendet që ne mendojë se është e nevojshme”.

Ndërkaq, Ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj tha se kjo ditë duhet të kuptohet në dy dimensione. E para ka të bëjë me fushëveprimin e këtyre zyrtarëve ndërlidhës dhe dimensioni i dytë ka të bëjë me ndërtimin e një diplomacie moderne.

“Dimensioni i parë është që atashetë e Policisë do të jenë zyrtarë ndërlidhës, në mes të policisë dhe drejtësisë së Kosovës me policinë dhe drejtësinë e vendeve në të cilat do të dërgohen. Këta do të kenë mundësi që ta koordinojnë bashkëpunimin në këto dy fusha, në mes Kosovës dhe shtetit nikoqir, por në të njëjtën kohë edhe të zbatojnë politika të caktuara dhe të marrin veprime të caktuara”.

“Qëllimi i tyre është që ta ndihmojnë Republikën e Kosovës, dhe ta ndihmojnë edhe bashkësinë ndërkombëtare në definimin e kërcënimeve dhe rreziqeve në luftën kundër krimit ndërkombëtar të organizuar, të trafiqeve të ndryshme si dhe që ta pengojnë migrimin ilegal”.

“Ata do të kontribuojnë edhe në një fushë kyçe që ka të bëjë me liberalizimin e vizave”.

“Dimensioni i dytë është përtej Ministrisë së Brendshme dhe ka të bëjë me Ministrinë e Jashtme. Ne jemi të interesuar që Republika e Kosovës të ketë një zgjerim sa më të madh të ambasadave, po në të njëjtën kohë të kemi staf sa më të vogël, sa më profesional në pjesë të ndryshme të botës. Dhe në këtë drejtim ambasada jonë në Bruksel, në Berlin, në Vjenë, dhe konsullata jonë në Stamboll, do ti kenë atashetë e parë të policisë të cilët do të dërgohen që nga sot.”

“Misionet tona diplomatike do të jenë misione të një diplomacie moderne, ku roli dhe kontributi i Policisë së Kosovës është kyç”.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Shpend Maxhuni, tha se ky hap i ndërmarrë nga Policia e Kosovës do të thellojë bashkëpunimin ndërkombëtarë, me vendet ku janë të akredituar zyrtarët ndërlidhës të PK’së.

“Ky hap do të bëj një kthesë të madhe për PK në veçanti dhe për institucionet e Kosovës dhe Qeverinë në përgjithësi”.

“Ne edhe në të kaluarën kemi pasur një bashkëpunim i cili ka evoluar në etapa të ndryshme me shtetet në mënyrë të veçantë por edhe në fushën e përgjithshme të bashkëpunimit ndërkombëtar dhe ky hap do të avancojë bashkëpunimin e drejtpërdrejtë mbi të gjitha me vendet ku do të akreditohen ndërlidhësit”, tha Shpend Maxhuni.