Kosova, Amerika dhe VAR-i

Çka ka të përbashkët në mes të VAR-it në futboll dhe Amerikës në përkrahjen e vazhdueshme të Kosovës.

Opinion

28/02/2019 10:24

Thuhet që teknologjia VAR  (Video assistant referee), është një gjetje revolucionare në sportin e futbollit.

Çka është VAR-i, këtë gjithsesi e dimë të gjithë. Në këtë mënyrë, objektivisht, shmanget rreziku i gabimit në vlerësimin e referëve, për të gjitha rastet problematike a të dyshimta, të cilat, ndryshe, në mënyrë të drejtpërdrejtë ndikojnë në rezultatin final të një ndeshje.

Teknologjia e bën të veten dhe përmirëson çdo gabim të referit.

Po që se VAR-i do të ekzistonte dhjetëra vjet prapa, në historinë e futbollit, shumë ndeshje në kampionatet botërore, përfshirë këtu edhe ato më të rëndësishmet, do të kishin një tjetër epilog. Edhe kampionët madje, do të ishin të tjerë.

Duket që ne, në politikën kosovare, për më shumë, në fatin tonë historik, si shqiptarë të Kosovës, e kemi pas, diku që nga viti 1992  (‘Kërcënimi i Kërshëndellave’), një ‘VAR’ të veçantë politik, në trajtë të SHBA-së.

Si Lëvizje politike për pavarësinë e Kosovës  (me te dy krahët, atë paqësorin dhe atë ushtarakun), me një vullnet të jashtëzakonshëm, por me një organizim të kufizuar politik dhe ushtarak  (gjë që ka qenë krejtësisht e kuptueshme), dhe me një përvojë të mangët institucionale, ka qenë e pamundur të mos përballemi me dyshime të shumta se a jemi në rrugë të drejtë, a do të mbërrimë në cakun e synuar dhe të projektuar për çlirimin dhe pavarësimin e Kosovës.

Në të gjitha këto raste të dilemave të shumta, të pashmangshme për të gjithë ne, ne kishim mundësinë, e cila në radhë të parë ishte rezultat i një politike të urtë, të mençur dhe largpamëse të udhëheqësisë së atëhershme kosovare, për tu konsultuar dhe këshilluar me SHBA-në, e cila në të gjitha Administratat e saja mbajti një kontinuitet të preokupimit me fatin e Kosovës.

Pra, gjithmonë SHBA-ja e ka luajtur këtë rolin e ‘VAR-it’, për të na treguar se cila është e vërteta aktuale, dhe ajo në krijim apo në ardhje e sipër, në fushëbetejën e madhe politike, ushtarake dhe historike që kishim (dhe të cilën ende e kemi), me Serbinë.

Po mos ta shfrytëzonim këtë mundësi në vitet e nëntëdhjeta, pastaj gjatë Konferencës së Rambouilletit, në procesin e Vjenës dhe më pas, kurrë nuk do të mbërrinim ku jemi.

Megjithatë, për vite të tëra, nëse jemi të sinqertë ndaj vetes, ne në një mënyrë apo tjetrën kemi refuzuar ta konsultojmë këtë ‘VAR-in’ Amerikan, për çështjet me rëndësi të madhe për politikën kosovare.

Që prej vjeshtës së vitit 2015-të e këndej  (deri sot e kësaj dite), politika kosovare, në dy Qeveritë e fundit, por jo vetëm në këto qarqet institucionale, nuk ka përfillur këtë ‘teknologjinë’ supreme politike dhe diplomatike amerikane, e cila ishte treguar qind për qind e saktë për decenie me radhë.

Thjeshtë, ne instaluam logjikën e mosbesimit ndaj qëndrimeve zyrtare amerikane.

Kështu ishte me rastin e njohur të Marrëveshjes për shënjimin e kufirit në mes të Kosovës dhe Malit të Zi, ku nuk bënë fare punë as analizat zyrtare të State Departmentit, dhe as vizitat në Kosovë dhe prononcimet e tyre për publik, të autoriteteve më të larta të Amerikës, çfarë ishin Zëvendës-Presidenti Biden, Sekretary Kerry, Assistentja e tij, Victoria Nyland.

Gjithçka ishte e kotë. Kështu, arritëm atëherë  (dhe duket që sot e kësaj dite jemi aty), në një situatë, kur Washingtoni zyrtar kishte ndikim më të madh në Serbi dhe në të gjitha shtetet tjera të rajonit, se sa në Kosovë.

E njëjta situatë po na përsëritet tash e dy muaj, në relacionet në mes të Kosovës dhe SHBA-së, kur bëhet fjalë për temën e taksës ndaj Serbisë dhe Malit të Zi.

Qeveria e Kosovës nuk po e përfillë fare një këshillë apo sugjerimi të instancave më të larta të Administratës së tanishme të SHBA-së, që kjo tarifë të pezullohet përkohësisht, në mënyrë që të mundësohet mëkëmbja e dialogut në Bruksel, dhe që të provohet arritja e Marrëveshjes gjithëpërfshirëse në mes të Kosovës dhe Serbisë, e cila sipas Washingtonit, duhet të nënkuptojë njohjen reciproke.

Natyrisht, kur nuk e përfillë ‘VAR-in’  (Amerikan), çfarë të mbetet është që të bësh spekulime të shumëllojta, të cilat nisin dhe sosin me mohimin e faktit që ne po refuzojmë me këmbëngulësi të përfillim këtë këshillë amerikane.

Të tillë çfarë jemi bërë ne, nuk dihet kush mund të na ndihmojë.

(Autori është kolumnist i rregullt i Lajmi.net)