Kosova A ka probleme, sonte do të ketë reduktime të rrymës

Gjatë ditës së sotme, Korporata Energjetike e Kosovës, përkatësisht njësia A3 e termocentralit Kosova A ka pasur probleme.

Lajme

17/03/2015 22:07

Përmes një komunikate për media nga KEK, njoftohet se për shkak të problemeve është dashur të importohet energji nga jashtë, dhe se prishja e njësisë A3 ka shkaktuar që të ketë ndërprerje të furnizimit me energji elektrike.

“Sot, më 17 mars, në orët e hershme të mëngjesit jemi informuar nga KEK-u për ndërprerje të paplanifikuar të prodhimit të energjisë elektrike në njësinë A3 të Termocentralit Kosova A në KEK. Gjatë ditës së sotme kemi arritur të importojmë sasi të mjaftueshme të energjisë elektrike duke mos shkaktuar ndërprerje të furnizimit për konsumatorë për shkak të mungesës së njësisë A3”, thuhet në njoftim.

Por, nuk ka qenë vetëm njësia A3 që sot ka pasur probleme. KEK njofton se gjatë mbrëmjes edhe njësia A4 ka pasur probleme dhe se gjatë natës mund të ketë edhe ndërprerje të energjisë.

“Në orët e vona të mbrëmjes së po të njejtës ditë, nga KEK-u jemi informuar për ndërprerje të paplanifikuar edhe të njësisë A4 dhe fatkeqësisht, për shkak të mungesës së rezervave të energjisë elektrike në vend, dhe për shkak të pamundësisë së realizimit të importit në orë të vona të mbrëmjes mund të ketë ndërprerje të furnizimit me energji elektrike. Luteni të keni parasysh që nominimi dhe realizimi i importit nuk është i mundur në orë të vona të mbrëmjes, atëherë kur edhe operatorët tregtarë përfundojnë orarin e rregullt të punës.”

“Nga KEK jemi informuar që janë duke punuar për rikthimin e dy njësive të ndërprera gjatë ditës së sotme deri sa ende nuk jemi informuar saktësisht se kur do të bëhet rregullimi i prishjeve në këto dy njësi”.

“Në orët e hershme të mëngjesit të ditës së nesërme zyra e KEDS për tregti me energji elektrike do të bëjë të pamundurën të realizojë sasi të mjaftueshme të importit me qëllim që furnizimi të vazhdojë të jetë i rregullt”, thuhet në njoftim. (lajmi.net)