Kontrata me Contour Global shkon në Arbitrazh

Në Ministrinë e Ekonomisë dhe Ambientit ka mbërritur njoftimi nga Gjykata e Arbitrazhit Ndërkombëtar (International Centre for Settlement of Investment Disputes), përmes të cilit jemi njoftuar për hapjen e kontestit me investitorin Contour Global.

Lajme

01/12/2020 13:32

Siç njofton Ministria e Zhvillimit Ekonomik, më datë 24.05.2020 ka qenë e paraparë që të bëhet Mbyllja Financiare e projektit Termocentrali “Kosova e Re”.

“Kjo nuk është arritur në kohë dhe pas dështimit të disa tentativave për zgjidhje të kontestit me marrëveshje, kërkesa për arbitrazh është parashtruar në Gjykatën e Arbitrazhit Ndërkombëtar nga investitori Contour Global”, njoftoi MZHE.

Qeveria e Kosovës, përkatësisht Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit, në bashkëpunim me Avokaturën e Shtetit ka marrë masa që ky proces të ndiqet dhe çështja të mbrohet në mënyrën më të mirë të mundshme.

Kompania amerikane Contour Global, e cila ishte përzgjedhur nga qeveria për ndërtimin e termocentralit, më 17 mars të këtij viti ka njoftuar se është tërhequr nga plani për ndërtimin e termocentralit.

Kompania amerikane ‘Countour Global’ e cila ishte kontraktuar nga Qeveria Haradinaj për ndërtimin e termocentralit Kosova e Re, dhe e cila u tërhoq nga projekti pas ardhjes së qeverisë Kurti, i kërkon Qeverisë së Kosovës 20 milionë euro, obligime të cilat pretendon se ja ka shteti i Kosovës. /Lajmi.net/