Kontrabandë me fushatë
Mul Desku i thotë se bërja fushatë para fillimit të dhjetëditëshit zyrtar, nuk është e sanksionuar me ligj. Sipas tij, PZAP nuk mund të caktojë gjoba ndaj subjekteve politike për këtë periudhë.
Lajme
Partitë politike në vend vazhdojnë të bëjnë fushatë, megjithëse zyrtarisht ajo do të duhej të hapej më 28 maj.
Megjithëkëtë, organi që merret me ankesat e partive, por edhe me shqiptimin e gjobave për shkeljet e mundshme, po tregohet i pafuqishëm karshi veprimeve të këtyre subjekteve. Krejt kjo për shkak të hapësirës ligjore, shkruan Tribuna.
Kryeshefi i PZAP-së, Mul Desku thotë se institucioni që drejton nuk mund të bëjë interpretime nëse partitë po i përmbahen afateve të fushatës.
Ai ka precizuar se PZAP jep mendimin për këtë çështje vetëm pasi të marrë paraprakisht ankesa nga partitë tjera.
“PZAP ankesat që i pranon nga parashtruesit e ankesave i shqyrton dhe i trajton në bazë të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme-LZP, dhe për të cilat ankesa nuk merr vendime me të cilat në rrugë zyrtare i njofton palët ankuese”.
“Dua të sqaroj se periudha para fillimit zyrtar të fushatës zgjedhore nuk është e sanksionuar me ligj dhe PZAP nuk mund të caktojë gjoba ndaj subjekteve politike për këtë periudhë”, ka thënë Desku.