Konjufca reagon lidhur me certifikimin e Kurtit, nuk mungon gjuha linçuese ndaj Valdete Dakës

Nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca nëpërmjet një postimi në Facebook ka reaguar lidhur me certifikimin e kandidatëve për deputetë, por nuk ka munguar gjuha linçuese e tij ndaj kryetares së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka.

Lajme

22/01/2021 17:10

Konjufca reagimin e tij në Facebook e fillon duke ripërsëritur deklarimin e tij se Daka është koka e planit për stopimin e VV-së dhe Albinit, shkruan lajmi.net.

Ai shprehet se nëse nuk zbatohet rekomandimi i Zyrës për Certifikim, atëherë kush nuk po i zbaton vendimet, VV-ja ose Valdete Daka?

“Nëse bordi politik i KQZ-së i mbivendoset Zyres profesionale të Certifikimit, kjo përfundimisht e fundos pavarësinë e këtij institucioni bashkë me demokracinë dhe të drejtat e njeriut.”, tha Konjufca.

Ky është postimi i tij:

Sot u pa qartë për çka e pata fjalën pardje kur thashë që Valdete Daka është koka e planit për stopimin e VV-së dhe të Albinit.
I ftoj tash të gjithë ata që dje i thonin VV-së “të respektohet ligjshmëria”, këtë parim ta thonë edhe një herë e me zë të lartë tash që Zyra e Pavarur e Certifikimit i dha të drejtë Albin Kurtit.
Nëse ky rekomandim nuk zbatohet, atëherë kush nuk po i zbaton vendimet “veç kur nuk po i konvenojnë”? VV-ja a Valdete Daka?
Nëse bordi politik i KQZ-së i mbivendoset Zyres profesionale të Certifikimit, kjo përfundimisht e fundos pavarësinë e këtij institucioni bashkë me demokracinë dhe të drejtat e njeriut.
Të drejtat e njeriut dhe demokracia nuk mund të determinohen nga një forum politik, drejtuesja e të cilit, siç po tregon me sjelljen e saj, është përbetuar për eleminimin e Albin Kurtit nga gara e barabartë zgjedhore. /Lajmi.net/