Konjufca pas takimit me Haddad: Pesë marrëveshjet me Francën e thellojnë partneritetin strategjik me Kosovën

Ministri në detyrë i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca ka shkruar në lidhje me takimin me Ministrin e Deleguar për Evropën të Francës, Benjamin Haddad. Ai ka thënë se miqësia mes Kosovës dhe Francës ka rrënjë të thella dhe një domethënie të veçantë për vendin tonë, shkruan lajmi.net. “Në periudhat vendimtare të historisë…

Lajme

27/07/2026 12:43

Ministri në detyrë i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca ka shkruar në lidhje me takimin me Ministrin e Deleguar për Evropën të Francës, Benjamin Haddad.

Ai ka thënë se miqësia mes Kosovës dhe Francës ka rrënjë të thella dhe një domethënie të veçantë për vendin tonë, shkruan lajmi.net.

“Në periudhat vendimtare të historisë sonë Franca ka qëndruar përkrah Kosovës dhe popullit tonë, duke mbështetur lirinë, shtetndërtimin, konsolidimin demokratik dhe perspektivën tonë evropiane. Kjo mbështetje, e dëshmuar në momentet më përcaktuese për vendin tonë, zë një vend të veçantë në kujtesën politike dhe historike të Republikës së Kosovës, për të cilën mbetemi thellësisht mirënjohës”, ka shtuar Konjufca.

Ai ka thënë se sot, kjo miqësinë po shndërrohet gjithnjë e më shumë në një partneritet të gjerë, konkret dhe të orientuar drejt së ardhmes.

“Nënshkrimi i pesë instrumenteve të reja të bashkëpunimit sot është dëshmi e qartë e kësaj marrëdhënieje dhe e vullnetit të përbashkët për ta avancuar atë më tej:

– Marrëveshja për ekstradim, e cila forcon bashkëpunimin ndërmjet dy vendeve në fushën e drejtësisë dhe lehtëson procedurat e ekstradimit;

– Marrëveshja për ndihmë të ndërsjellë juridike në çështjet penale, e cila avancon bashkëpunimin ndërmjet institucioneve tona në administrimin e drejtësisë dhe luftimin e krimit;

– Marrëveshja e kredisë ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Agjencisë Franceze për Zhvillim, për mbështetjen e investimeve infrastrukturore në kuadër të përgatitjeve për Lojërat Mesdhetare Prishtina 2030;

– Deklarata e Synimit për fillimin e Komitetit Francë–Kosovë, përmes së cilës përvoja dhe ekspertiza franceze do të mbështesin përgatitjen dhe organizimin e Lojërave Mesdhetare 2030;

– si dhe Marrëveshja Administrative për mësimdhënien e gjuhës frënge në Kosovë, e cila synon zgjerimin dhe fuqizimin e mësimdhënies së frëngjishtes dhe krijimin e mundësive të reja për bashkëpunim arsimor e akademik”, ka shtuar ai.

I pari i diplomacisë në vend, ka thënë se në taki është diskkutuar edhe për perspektivën evropiane të Kosovës, zhvillimet e sigurisë në rajon, bashkëpunimin ekonomik dhe mundësitë për avancimin e mëtejshëm të marrëdhënieve tona dypalëshe.

“Kosova e ka bërë zgjedhjen e saj strategjike për të ardhmen dhe ajo është pjesëmarrja e plotë në projektin evropian. Në këtë rrugëtim, partneriteti me Francën ka një peshë të veçantë. E falënderova Ministrin Haddad për vizitën dhe për angazhimin e tij në avancimin e marrëdhënieve ndërmjet vendeve tona. Me besimin e ndërtuar ndër vite dhe me vizionin e përbashkët për të ardhmen evropiane, do të vazhdojmë ta thellojmë këtë partneritet në interes të vendeve dhe qytetarëve tanë”, ka shtuar Konjufca. /Lajmi.net/

Postimi i plotë: