Konjufca në krye të dialogut me Serbinë, pritje për qasje të re dhe kërkesë për transparencë
Emërimi i zëvendëskryeministrit të parë, njëherësh ministrit për Punë të Jashtme dhe Diasporë, Glauk Konjufca, në krye të procesit të dialogut me Serbinë po shihet nga përfaqësues të pushtetit si vazhdimësi e një qasjeje të konsoliduar, ndërsa nga opozita si moment që kërkon më shumë transparencë dhe llogaridhënie institucionale. Një ditë pasi Konjufca priti në…
Lajme
Emërimi i zëvendëskryeministrit të parë, njëherësh ministrit për Punë të Jashtme dhe Diasporë, Glauk Konjufca, në krye të procesit të dialogut me Serbinë po shihet nga përfaqësues të pushtetit si vazhdimësi e një qasjeje të konsoliduar, ndërsa nga opozita si moment që kërkon më shumë transparencë dhe llogaridhënie institucionale.
Një ditë pasi Konjufca priti në takim emisarin e BE-së për dialogun, Peter Sorensen, ku e njoftoi se qeveria e ka autorizuar dikasterin e tij të udhëheqë procesin e dialogut, kërkohet mes tjerash që dialogu të mos mbulojë plotësisht agjendën e politikës së jashtme.
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Driton Hyseni, thotë për KosovaPress se me Konjufcën në krye të diplomacisë dhe të procesit negociator do të ruhet ritmi i deritanishëm i angazhimit në raport me faktorin ndërkombëtar.
Sipas tij, Kosova duhet të vazhdojë të dëshmojë se është palë konstruktive dhe e përkushtuar për fqinjësi të mirë, duke e zhvendosur fokusin e përgjegjësisë për ngecjet eventuale te pala serbe.
“Me një ritëm të tillë do të vazhdohet edhe tani, duke qenë zoti Glauk Konjufca si ministër i Punëve të Jashtme dhe zëvendëskryeministër i parë në krye të këtyre bisedimeve dhe çështjeve që do të trajtohen me Bashkimin Evropian fillimisht dhe pastaj me Serbinë si një palë në tavolinë… Para faktorit ndërkombëtar duhet të tregojmë se jemi për fqinjësi të mirë, siç kemi treguar edhe në të kaluarën. Në këtë drejtim edhe zoti Konjufca me të gjithë angazhimin politik qysh nga fillimet e tij e ka treguar se e ka qasjen, racionalitetin, por mbi të gjitha e kemi sigurinë e plotë se kur vjen në pyetje interesi i Republikës së Kosovës është i denjë për t’i përfaqësuar në mënyrën më të mirë”, tha ai.
Në anën tjetër, opozita kërkon qartësi dhe përfshirje më të madhe institucionale në proces. Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Time Kadrijaj, theksoi për KosovaPress se mënyra se si do të hartohet agjenda e dialogut do të varet edhe nga kërkesat e Bashkimit Evropian, por insiston që procesi të jetë transparent dhe i raportueshëm në Kuvend.
“Të shohim sesi ai do të hartojë agjendën e dialogut dhe kjo varet prej zhvillimeve ose kërkesave që do t’i ketë BE-ja dhe emisarët e caktuar për dialogun. Mendoj se duhet të jetë një proces transparent dhe e ka për obligim të raportojë në Kuvendin e Kosovës për agjendën që e ka, për çka do të dialogohet dhe cilat do të jenë rezultatet”, tha ajo.
Krahas dialogut, Konjufcës i kërkohet që të mbulojë plotësisht edhe agjendën e politikës së jashtme.
Deputeti i Vetwvendosjes Hyseni tha se diplomacia kosovare duhet paralelisht të intensifikojë përpjekjet për anëtarësim në organizata ndërkombëtare dhe për forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar, duke shmangur reduktimin e politikës së jashtme vetëm në raportin me Serbinë.
“Nuk mendoj se duhet të na marrë tërë vëmendjen e politikës sonë të jashtme relacioni me Serbinë. Unë e shoh një insistim të jashtëzakonshëm të zyrtarëve në Bruksel që t’iu japin një prioritet normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë, por unë konsideroj se në këtë drejtim Kosova ka dhënë dëshmi duke arritur marrëveshje dhe duke filluar e menduar implementimin e tyre. Brukseli duhet ta dijë se presion duhet të ushtrohet mbi Serbinë në drejtim të normalizimit të raporteve. Gjithashtu diplomacia jonë ka jashtëzakonisht shumë punë dhe nevojë që t’i qaset edhe segmenteve dhe forumeve të ndryshme për anëtarësim në organizata ndërkombëtare me rëndësi”, shton Hyseni.
KosovaPress i dërgoi pyetje edhe Ministrisë sw Punëve të Jashtme dhe Diasporës, mirëpo nuk ktheu përgjigje për prioritetet në dialog dhe qasjen që do të përdoret në këtë proces.
Sorensenit i është vazhduar mandati nga BE-ja si ndërmjetësues i dialogut edhe për dy vitet e ardhshme. Kosova dhe Serbia kanë arritur dakordim për Marrëveshjen e Brukselit dhe Aneksin e Ohrit në vitin 2023, por deri më tani kjo marrëveshje nuk ka gjetur zbatim.
Gjatë mandatit të Qeverisë Kurti, Kosova dhe Serbia zhvilluan një sërë takimesh në nivel të liderëve, si dhe në atë të kryenegociatorëve, mirëpo palët nuk u pajtuan për zbatimin e marrëveshjes.