Konferencë në Beograd, kërkohet datë për dyja vendet

Bashkimi Evropian patjetër ta shpërblejë Maqedoninë e Veriut.

Lajme

17/10/2019 17:04

Kështu porosit ish-përfaqësuesja e lartë për politikë të jashtme të BE-së Ketrin Eshton.

Në një debat në Beograd, Eshton ka thënë se njëra nga arsyet është firmosja Marrëveshjes së Prespës e cila ishte shumë e vështirë për tu arritur.

E di se dëshironi perspektivë të qartë Evropiane dhe kornizë kohore.

“Në sundimin e së drejtës dhe në luftën kundre korrupsionit dhe krimit të organizuar punoni për veten tuaj dhe unë jam e bindur se ardhmëria juaj është në BE dhe unë mezi e pres këtë”-tha Ketrin Eshton, ish-zyrtare e lartë e BE-së, shkruan Alsat-M përcjellë Klan Kosova.

Pjesa më e madhe e panelistëve në Beograd, kanë pasur qëndrim pozitiv që BE ti japë datë Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë. Ata kanë porositur se shtyrja e datës do të japë sinjal negativ për rajonin e Ballkanit.

Drejtoresha e Ministrisë së punëve të jashtme të Gjermanisë për Evropën Juglindore dhe Turqinë, Suzane Shic, tha se sipas Gjermanisë, BE-ja nuk do të jetë e plotë pa Ballkanin Perëndimor dhe shpreson në vendim pozitiv për Shkupin dhe Tiranën.

“Pajtohem me shumë skeptikë se Shqipëria ka shumë më shumë për të bërë në luftën kundër korrupsionit dhe krimin e organizuar, por këtë më së miri do ta bëjë nëse është në tavolinën negociuese me BE-në. Nëse themi JO në këtë proces, ne do tu bëjmë shërbim atyre që nuk e duan sundimin e së drejtës dhe pengimin e korrupsionit në rajon”-theksoi Suzane Shic, zyrtare gjermane.

Ndërsa drejtori i ministrisë së punëve të jashtme të Francës për Europën kontinentale Frederik Mondoloni, tha se vendi i tij pa hamendje e sheh Ballkanin perëndimor në BE.

“Dera nuk është e mbyllur. Ne nuk themi JO. Këshilli i Evropian është i ndarë , ne themi po por vendet patjetër ti plotësojnë kushtet”- tha Frederik Mondoloni, drejtor i Ministrisë së Punëve të Jashtme në Francë.

Në debatin në Beograd Frederik Mondoloni, i cili ka qenë ambasador i Francës në Serbi, shtoi se “status quo-ja” mes Kosovës dhe Serbisë është situatë shumë e rrezikshme.

Sipas tij vendet urgjentisht duhet të arrijnë marrëveshje për çështjet e hapura.