Komuna e Mitrovicës e ‘zhytur’ në alkool, porositë verë e 200 gajbe birra

Komuna që udhëhiqet nga Agim Bahtiri ka paraparë që brenda ambienteve të komunës të konsumohet edhe alkooli.

Lajme

07/03/2019 13:31

Komuna që udhëhiqet nga Agim Bahtiri ka paraparë që brenda ambienteve të komunës të konsumohet edhe alkooli.

Verë e birra është paraparë që të shërbehet brenda ambienteve të Komunës së Mitrovicës. Kjo Komunë ka paraparë që nëpërmjet tenderit publik të ketë në shërbimet e veta këto lloje të alkoolit deri në nëntor të vitit 2020.

Kjo pasi komuna e realizoi një tender që quhet “Furnizim me gjëra ushqimore të nevojshme për Komunë, gjëra ushqimore për raste sociale dhe material higjenik dhe sanitari”, shkruan lajmi.net.

Brenda këtij tenderi për nevojat e Komunës janë paraparë 200 paketime me nga 24 copa birrë e Pejës 0.33 ml. Janë kërkuar 220 copë ‘Verë e kuqe 900 ml’ dhe 220 copë ‘Verë e bardhë 900 ml’ (vlen të theksohet se verë në shishe 900 ml nuk ka në treg, pos 1 litër ose 750 ml).

Kontrata është nënshkruar më datë 11 dhjetor 2017, dhe ka validitet tri vjet, pra skadon në nëntor të vitit 2020. Tenderin e kishte fituar kompania DPT “Genci”.

Fillimisht vlera e parashikuar e kontratës ka qenë 150 mijë euro, por, sipas njoftimit për dhënie të kontratës oferta e fituesit ka qenë 267,05 euro.

Sipas produkteve të prezantuara, me gjasë vlera është 267 euro, por ka gabuar komuna dhe nëse rrija e shifrës e cila ka qenë gati për 100 për qind është shkelje e Ligjit të Prokurorimit Publik.

Në Komunën e Mitrovicës kanë thënë se alkooli nuk do të shërbehet për stafin civil, dhe se nuk do të pihet në orar të punës.

Atje kanë thënë se ai produkt është paraparë për delegacionet shtetërore dhe të huaja.

“Ne si Zyre e Prokurimit ju konfirmojmë se në paramasë janë këta artikuj së bashku me pije tjera, por janë parapa në shumë raste të rralla dhe të veçanta që mos të blihen me Peti Kesh ose fatura të veçanta, por të furnizohen te Operatorët Ekonomik, por kurrsesi ju konfirmoj me plotë përgjegjësi se në orar të punës assesi (ne edhe kafen e kemi të ndaluar kështu që këto pije gjithsesi) edhe besoj se në përmbledhje për tërë vitin, nuk besoj se blihet 1-2 litra verë e për birra nuk e besoj sepse nuk kemi hasur në faturim. Këta artikuj në fjalë janë parapa për raste shumë të rralla për ndonjë takimi shtetëror apo ndërkombëtar, për ndonjë koktej rasti ose ndonjë pensionim “në rastet të veçanta” por assesi në orar të punës, kurrsesi për Shërbyes Civil as për Zyrtar Komunal”, ka bërë të ditur zyra e prokurimit të Komunës së Mitrovicës për lajmi.net.

Thuajse të gjitha komunat dhe institucionet publike në Kosovë kanë bufe, por ky furnizim me alkool nuk është bërë asnjëherë.

Po ashtu, institucionet nuk shërbejnë birrë as kur ka delegacione të huaja.

Ndërkohë, alkooli është hasur në faturat e institucioneve publike vetëm gjatë drekave dhe darkave zyrtare, të cilat aktivitet janë bërë në restorante dhe kafene. /Lajmi.net/