Kompanitë turistike nga Kosova thonë se sot po qarkullojnë pa probleme nëpër Serbi

Një autobus me udhëtarë i kompanisë Bici Com, në orët e hershme të mëngjesit të së enjtes, ka arritur në Kosovë nga Austria. Pronari i kësaj kompanie, Ilir Bici, tha për Radion Evropa e Lirë, se autobusi me udhëtarë ka qarkulluar përmes Hungarisë, Serbisë dhe se nuk ka pasur ndonjë problem, përveç procedurave të rregullta…

Lajme

18/04/2024 12:22

Një autobus me udhëtarë i kompanisë Bici Com, në orët e hershme të mëngjesit të së enjtes, ka arritur në Kosovë nga Austria.

Pronari i kësaj kompanie, Ilir Bici, tha për Radion Evropa e Lirë, se autobusi me udhëtarë ka qarkulluar përmes Hungarisë, Serbisë dhe se nuk ka pasur ndonjë problem, përveç procedurave të rregullta doganore.

Ndërkaq, sot në orët e mbrëmjes, nga Prishtina për në Vjenë, Bici tha se do të niset një autobus me udhëtarë që po ashtu, do të shfrytëzojë territorin e Serbisë.

Më 17 prill, udhëtarë dhe autobusë nga Kosova u bllokuan në kufijtë e Serbisë me Hungarinë dhe Kroacinë.

Në mesin e të ndaluarve ka qenë edhe autobusi me pasagjerë i kompanisë Rinori Travel. Pronari i kësaj agjencie, Ismail Aliu, tregoi se në pikën kufitare në Horgosh të Serbisë, kanë qëndruar të ndaluar për më shumë se 12 orë.

Ai tregoi se gjatë kësaj kohe, dy udhëtarë janë mbajtur nga organet serbe, të cilët, siç tregon, janë pyetur nëse kanë pasur familjarë në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, dhe se a kanë aktualisht pjesëtarë të familjes të punësuar në Polici apo në Forcën e Sigurisë së Kosovës.

Ata janë liruar pas orës 18 të mbrëmjes, kur edhe janë nisur për në Kosovë. Aliu tha se kanë qenë të fundit që janë liruar” dhe që më nuk ka mbetur ndonjë autobus i bllokuar”.

Megjithatë, Aliu tha se po të mërkurën, më 17 prill, një autobus nga Gjilani me targa dhe qytetarë të Kosovës, ka kaluar nëpër Serbi dhe Hungari për në shtetin e Zvicrës pa ndonjë problem.

Edhe nga kompania turistike Barileva Tours, kanë bërë të ditur se të gjithë autobusët e kësaj kompanie që kanë qenë të bllokuar në kufirin e Kroacisë dhe Hungarisë, tashmë janë liruar dhe janë rrugës të sigurt.

“Të gjithë autobusët që kanë qenë të bllokuar në kufirin e Kroacisë dhe Hungarisë, janë liruar dhe janë rrugës, disa në drejtim të Kosovës dhe të tjerët drejt Gjermanisë”, thuhet në njoftimin e kësaj kompanie.

Autoritetet e Kosovës u bënë thirrje qytetarëve të Kosovës që të shmangin “me çdo kusht” kalimin nëpër Serbi, shtet në të cilin të mërkurën, kosovarëve u ishte vështirësuar qarkullimi.

Ata thanë se ndalimi i autobusëve dhe udhëtarëve u bë në shenjë hakmarrjeje nga Serbia për shkak të votës pro mbështetjes së anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës.

Serbia mohoi se ka ndaluar autobusët me udhëtarë nga Kosova, duke i cilësuar akuzat e Kosovës si “të pabaza”.

“Po forcohet kontrolli i të gjithë pasagjerëve në pikat kufitare dhe po kryhen kontrolle të sigurisë, e gjitha kjo me qëllim të sigurisë dhe sigurisë më të madhe të qytetarëve, gjë që mund të shkaktojë një qëndrim më të gjatë në vetë pikën kufitare”, tha Ministria serbe për Punë të Brendshme përmes një reagimi të publikuar më 17 prill. /REL