Kompania nga Beogradi fitoi tender nga KEK-u që udhëhiqet nga Gramos Hashani – Ministria e Artane Rizvanollit distancohet nga procesi i prokurimit
Pas raportimit lidhur me tenderin për riparimin dhe testimin e valvave siguruese në blloqet B1 dhe B2 të Termocentralit “Kosova B”, ku fitues është shpallur konsorciumi UNIVERS-M SH.P.K. dhe ICI doo, Ministria e Ekonomisë është deklaruar duke u distancuar nga procesi i prokurimit. Në një përgjigje për lajmi.net, Ministria e Ekonomisë ka theksuar se nuk…

Lajme
Pas raportimit lidhur me tenderin për riparimin dhe testimin e valvave siguruese në blloqet B1 dhe B2 të Termocentralit “Kosova B”, ku fitues është shpallur konsorciumi UNIVERS-M SH.P.K. dhe ICI doo, Ministria e Ekonomisë është deklaruar duke u distancuar nga procesi i prokurimit.
Në një përgjigje për lajmi.net, Ministria e Ekonomisë ka theksuar se nuk është autoritet përgjegjës për proceset operative të tenderëve në ndërmarrjet publike, përfshirë edhe Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK).
“Në përputhje me Ligjin për Ndërmarrjet Publike, Ministria e Ekonomisë (ME) nuk merr pjesë në menaxhimin e drejtpërdrejtë të ndërmarrjeve, përfshirë procesin e prokurimit apo marrjen e vendimeve të tenderëve. Roli kryesor i ME-së është monitorimi i punës së bordeve dhe rrjedhimisht performancës së ndërmarrjeve publike në përgjithësi”, thuhet në përgjigje.
Sipas ME-së, për çështje të tilla operative, duhet të pyetet vetë KEK-u, si autoriteti kontraktues, i udhëhequr nga Kryeshefi Ekzekutiv, Gramos Hashani.
Çfarë ka ndodhur me tenderin në fjalë?
Tenderi i shpallur nga KEK ka vlerën 137,316.60 euro dhe është fituar nga Grupi i Operatorëve Ekonomik UNIVERS-M SH.P.K. dhe ICI doo, kjo e fundit një kompani me seli në Beograd të Serbisë.
Por shqetësimet rreth këtij tenderi nuk ndalen me kaq. Sipas të dhënave nga ARBK, kompania serbe ICI doo rezulton e mbyllur më 25 qershor 2024, sipas të dhënave të Agjencisë për Regjistrimin e Bizneseve në Serbi.
Pavarësisht kësaj, konsorciumi është shpallur fitues nga KEK, ndërkohë që mbetet e paqartë:
-
Sa kompani tjera kanë konkurruar në këtë tender?
-
A ka pasur kompani vendore që kanë ofertuar?
-
A ka pasur ofertë më të ulët se ajo e shpallur fituese?
KEK, nën udhëheqjen e Kryeshefit Ekzekutiv Gramos Hashani dhe me Bordin e udhëhequr nga Valdrin Krasniqi, deri më tani nuk ka kthyer ndonjë përgjigje për këto pyetje.
Ky zhvillim ka ngritur pikëpyetje të mëdha rreth transparencës së prokurimit publik në sektorin energjetik dhe monitorimit efektiv të ndërmarrjeve publike, sidomos kur bëhet fjalë për kompani të huaja që figurojnë si të mbyllura në vendet e origjinës.
Kush është Gramos Hashani?
Brenda pak muajsh, KEK ka ndërruar disa ushtrues detyre të kryeshefit.
I fundit, i caktuar në Shkurt 2025, është Gramos Hashani, i emëruar nga Bordi i KEK-ut me kryesues Valdrin Krasniqi.
Edhe pse pritej të ishte një zgjidhje kalimtare, mandati i tij u shndërrua në një periudhë të ngarkuar me emërime, ndërhyrje dhe dështime.
Në rrjete sociale, Gramos Hashani shihej në fotografi me Xhafer Gashin, si kryetar i emëruar i një nëndege të AAK-së në Obiliq në vitin 2019. Brenda pak vitesh, Hashani, nga një udhëheqës i një nëndege të AAK-së në Obiliq, arriti që të jetë në krye të KEK-ut.
Duket se më vonë krijoji lidhje edhe me partinë në pushtet, shihen fotot e tij miqësore me Valon Prebrezën Drejtorin e Ndërmarrjeve Publike dhe Alban Krasniqin sekretar i KEK dhe anëtar bordi në Trepçë, ku janë ngritur dyshime për ndikim politik në emërimin e tij.
Përveç me Alban Krasniqin, në këtë grup të miqësisë së tyre është edhe Valon Prebreza, Drejtorit të ndërmarrjeve publike, i cili njëkohësisht është aktivist i Vetëvendosjes dhe i afërt me ministren Rizvanolli.