Koci: Thaçit po i shkelen të drejtat e njeriut, qytetarët urgjentisht duhet të informohen nga Specialja
Afati gjashtëmujor për konfirmimin e aktakuzës ndaj presidentit Hashim Thaçi dhe kryetarit të PDK-së Kadri Veseli ka skaduar, por megjithëkëtë s’ka asnjë informatë nga Dhomat e Specializuara se çfarë po ndodhë me ta.

Lajme
Për këtë ka reaguar avokati kosovar Arianit Koci që tha se ky institucion s’po respekton as minimalisht Kosovën dhe qytetarët e saj. Madje, për Thaçin tha se si individ po i shkelen të drejtat e njeriut.
“Nuk po tregohet as respekti minimal ndaj qytetarëve të Kosovës, ndaj figurës së Presidentit të të Kosovës, e as ndaj z. Hashim Thaçi si individ, me faktin që Dhomat e Specializuara nuk japin informata se çka po ndodh me aktakuzën e deponuar me 24 prill 2020. Afati gjashtë mujor ka skaduar! Një popull i tërë po mbahet peng!. Në anën tjetër, z. Thaçi po i shkelen të drejtat e njeriut në mënyrë brutale. Po bëhen dhjetë vite që kur kanë filluar hetimet – njëherë nga senatori Dick Marty, e pastaj nga task forca e ambasadorit Clint Williamson. Qytetarët e Kosovës duhet të informohen urgjentisht se çka po ndodh me presidentin e tyre”, ka shkruar Koci.
Koci tha se nëse nuk vijnë ende informata zyrtare do të humbet besimi ndaj kësaj gjykate.
Thaçi dhe Veseli po dyshohet se mund të jenë fajtorë për afër 100 vrasje. Prokurori i Specializuar kishte thënë se nxjerrja e informatave u bë për shkak se Thaçi dhe Veseli kishin bërë përpjekje për të penguar punën e Speciales. /Lajmi.net/