Koalicion monoetnik në Mitrovicën e Veriut

Krstimir Pantic synon qeveri tërësisht me serbë në Mitrovicën e Veriut. Ekzekutivin e bën me Oliver Ivanovicin, ndërsa postin e Zëvendës Kryetarit paralajmëron t’ia japë një shqiptari apo një boshnjaku.

Lajme

23/12/2013 09:27

Në nivelin qendror, domosdoshmërish një parti politike e serbëve duhet të jetë pjesë e koalicionit qeveritar.

Këtë e diktojnë ligjet e vendit.

Por kur është fjala për nivelin lokal kjo edhe mund të mos vlejë.

Komuna e Mitrovicës së Veriut, e fituar në zgjedhjet fundit nga Krstimir Pantic i “Listës Serbe”, është duke përgatitur një qeverisje lokale tërësisht me serbë gjatë mandatit të ardhshëm katërvjeçar.

Pantic ka thënë se sipas të gjitha gjasave, në këtë komunë, “Lista Serbe”, subjekt i dirigjuar nga qeveria e Serbisë, do të bëjë koalicion me subjektin politik SDP të drejtuar nga Oliver Ivanovic.

Krstimir Pantic dhe Oliver Ivanovic

 

“Ivanovic dhe unë jemi afruar në interes të të gjithë qytetarëve, kemi qëndrime të njëjta për drejtimin e komunës dhe duhet që të merremi vesh edhe për disa detaje të vogla. Pastaj duhet ta nënshkruajmë marrëveshjen për koalicion me të cilën do të konfirmohet kush do të jetë Kryetar i Asamblesë Komunale”, ka thënë Pantic.

I pyetur nëse Agim Deva nga PDK mund të presë të emërohet në ndonjë nga funksionet drejtuese në komunën e Mitrovicës së Veriut, Pantic ka thënë se si Kryetar i Komunës ai ka të drejtë ta emrojë Zëvendës Kryetarin dhe se “në këtë pozitë do të jetë ose një shqiptar ose një boshnjak, pra dikush nga komunitetet pakicë”.

Në konstatimin se Prishtina përmes Bashkimit Europian kërkon që ftesat për seancën inauguruese të kenë logon e Kosovës, ai ka thënë se marrëveshja e Brukselit e saktëson si do të përfaqësohet Kosova dhe se ai i ka respektuar shqiptarët sepse ftesa është dërguar edhe në gjuhën shqipe.

“Nuk është mirë që Prishtina përmes BE’së përpiqet që në çdo mënyrë t’i diskreditojë përpjekjet tona për implementimin e marrëveshjes, dhe në çdo mënyrë përpiqet për ta minuar marrëveshjen e Brukselit dhe ta vonojë themelimin e Bashkësisë së Komunave Serbe”, ka thënë Pantic.

“Nuk do të dërgoj ftesa të reja. Pres që më 24 dhjetor të gjithë këshilltarët komunalë, 19 sa janë zgjedhur, ta japin deklaratën e betimit e cila është neutrale ndaj statusit”.