KMDLNJ: Prishtina është shndërruar në kryeqytet të qenve endacakë

Ditë më parë në Prishtinë qentë endacakë sulmuan një nxënës. Për çka ka reaguar Këshilli i Mbrojtjeve për të Drejtat e Lirive të Njeriut (KMDLNj) duke thënë se problemi i qenve endacakë nuk duhet të jetë apo të trajtohet si çështje që i takon vetëm komunës por edhe ministrive përkatëse.

Lajme

14/10/2020 13:22

Nëpërmjet një komunikate për media nga KMDLNj thuhet se komuna e Prishtinës por edhe Qeveria e Kosovës përmes ministrive përkatëse duhet të ndajë mjete shtesë për organizatat që merren me trajtimin dhe strehimin e qenve.

“Problemi i qenve endacakë në asnjë mënyrë nuk duhet të jetë apo trajtohet si çështje që i takon vetëm institucioneve të kryeqytetit por se duhet që edhe ministritë përkatëse të kontribuojnë në zgjidhjen e këtij problemi . Përkundër faktit se komuna e Prishtinës i ka shenjëzuar qentë e kryeqytetit sikur që e kanë bërë sterilizimin për të mbajtur nën kontroll numrin e tyre , vërehet se rrugëve të kryeqytetit ka qenë të ardhur e që nuk janë të shenjëzuar e që nënkupton se as që janë trajtuar me vaksina apo është bërë sterilizimi i tyre. Komuna e Prishtinës por edhe Qeveria e Kosovës përmes ministrive përkatëse duhet të ndajë mjete shtesë për organizatat që merren me trajtimin dhe strehimin e qenve, të rrisë kapacitetin e strehimoreve në mënyrë që të krijohen kushtet dhe mundësitë që qentë e kryeqytetit të trajtohen në kushte më të mira dhe të mos paraqesin rrezik për jetën dhe sigurinë e qytetarëve”, thuhet në komunikatë.

Derisa ka numëruar premtimet që u dhanë në zgjedhjet lokale nga kandidatët për kryetar të Prishtinës, KMDLNj thotë se tash qartazi Prishtina është shndërruar në kryeqytet të qenve.

“Gjatë fushatave parazgjedhore për zgjedhje lokale , kandidatët për kryetar të Prishtinës patën premtuar një Prishtinë metropolitane, rregullimin e transportit publik me tramvajë , ndërtimin e metros deri në Fushë Kosovë , hapësira të gjelbërta dhe parqe , Shtëpinë e Operas , parkingje të mjaftueshme nëntokësore dhe mbitokësore ndërkaq që nuk kanë qenë në gjendje ta ndërtojnë as edhe një ËC të vetme publike. Tash , qartazi po duket se Prishtina është shndërruar në kryeqytet të qenve dhe mundësi e hatashme që përmes ndërtimeve të pakontrolluara të legalizohet mafia e ndërtimit e që në fakt po i riciklon paratë e pista dhe të fituara nga aktivitetet kriminale ( një pjesë e tyre ) ndryshe nuk mund të kuptohet ndërtimi aq i madh i banesave kurse çmimi i tyre asnjëherë nuk ulet në kohën që nuk ka nevojë për aq shumë banesa . Në mungesë të hapësirave të gjelbërta dhe hapësirave për rekreacion , Prishtina po shndërrohet në varrezë masive arkitektonike”, thuhet mes tjerash në komunikatë. /Lajmi.net/