KMDLNj e shqetësuar me fushatën denigruese nga mediat

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNj), ka reaguar ndaj shkrimeve të ndryshme në media kundër kandidatëve për kryeministër të vendit dhe atyre për deputet në Kuvendin e Kosovës.

Lajme

21/05/2014 17:33

Në një reagim të lëshuar nga KMDLNJ, thuhet se ky institucion është i shqetësuar për shkak të kësaj fushate nga mediat.

“KMDLNj, si monitoruese e zgjedhjeve të mëparshme (katër zgjedhjeve të para pas përfundimit të luftës) është shqetësuar për shkak të një fushate denigruese, diskualifikuese, paragjykuese dhe me qëllim të ndikohet në rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve duke favorizuar një subjekt apo duke sulmuar subjektin tjetër, që po e bëjnë disa media të shkruara dhe elektronike”.

“Kohëve të fundit është intensifikuar një fushatë mediale kundër kandidatit për kryeministër të Kosovës nga radhët e LDK-së, z. Isa Mustafa me qëllim që të dëmtohet politikisht para zgjedhjeve të 8 qershorit 2014”.

“Pas aderimit të znj. Margarita Kadriu në radhët e PDK-së është intensifikuar fushata kundër saj me qëllim që të dëmtohet zonja Kadriu dhe subjekti i saj”.

“Gjithashtu , është një fushatë mediale kundër PDK-së (udhëheqësve më të lartë të kësaj partie në krye me kryeministrin Thaçi e sidomos kundër ish udhëheqësve të SHIK-ut (Kadri Veseli, Ilmi Reçica, Latif Gashi etj.) me qëllim të qartë që të dëmtohen para zgjedhjeve dhe të ndikohet në rezultatin e zgjedhjeve”.

“Edhe ndaj kandidatit të AKR-së për kryeministër z. Pacolli po bëhet një fushatë e cila, për momentin është e intensitetit të ulët sikur edhe për liderin e AAK-së, z. Ramush Haradinaj”.

“KMDLNj, konsideron se këto sulme apo fushata mediale po bëhen me qëllime të caktuara dhe janë të porositura”.

“Ndryshe, çka duhet të shkruhet për të kaluarën komuniste të Isa Mustafës kur të gjithë e dimë se Isa Mustafa nuk ka qenë anëtar i Ballit Kombëtar”.

“Apo, pse pikërisht në këtë kohë po bëhen publike e-mailat e znj. Margarita Kadriu me partnerët nga Serbia kur ata e-maila janë të vitit 2011. Apo rasti i lëndimit të punëtorit që ka punuar në kompaninë e zonjës Kadriu nëse për këtë rast e kemi vendimin e një gjykate. Raporti i shërbimit sekret të NATO-s është raport i viteve të 2000-ta (2003-2004) dhe pse duhet të bëhet publik pikërisht tash, dy javë para zgjedhjeve”.

“KMDLNj kërkon nga mediat të jenë të përmbajtura dhe të mos kontribuojnë në tensionimin e situatës. Duhet të jenë të paanshme, të informojnë në mënyrë objektive dhe parim kryesor duhet ta kenë profesionalizmin”, thuhet ndër të tjera në reagimin e KMDlNJ”.