Klinika ku verbërohen fëmijët kosovarë
Gazeta “Zëri” ka hulumtuar për një muaj rresht arsyet e verbimit të shumë fëmijëve kosovarë që kanë lindur para kohe dhe janë trajtuar në Klinikën e Neonatologjisë.

Lajme
Ajo e mban një letër të bardhë në dorë. Por, 3-vjeçarja e pati të vështirë ta kapë atë, derisa për ta mbajtur më shumië i ndihmuan shqisat e prekjes.
Sytë e saj mezi gjejnë rrugën, falë ndihmës që i bëjnë edhe duart.
Vëllai i saj, po ashtu i verbër, nuk ka arritur ta shoë asnjëherë motrën dhe të vëllain tjetër që lindën përnjëherë. Me fat, në betejën për “dritën e syve” ka qenë vetëm njëri vëlla, që kur kishte lindur kishte peshën më të vogël.
Familja sot ka dy fëmijë të verbër, pasi në Klinikën e Neonatologjisë në Shërbimin Spitalor, Klinik dhe Universitar të Kosovës nuk u hetua me kohë sëmundja e quajtur “Retinopatia premature”, e cila në Kosovë nuk trajtohet sipas protokolleve mjekësore.
Këtë sëmundje duhet trajtuar sipas protokolleve, të cilat duhet t’i bëjë Klinika e Syve. Sëmundja prek deri në 15 për qind të fëmijëve që mbahen në inkubator, si rezultat i lindjes së parakohshme.
Nëse hetohet me kohë, me një intervenim të thjeshtë laserik fëmijët të shumtën e rasteve shpëtojnë nga verbërimi.
Mosprespektimi i këtyre protokolleve në Klinikën e Neonatologjisë për vite të tëra ka lënë shumë fëmijë pa sy.
Duke u bazuar në numrin e popullsisë që ka Kosova, mjekët në Maqedoni thonë se rreth 200 fëmijë do të duhej të laseroheshin. Por, Klinika e Neonatologjisë nuk ka raporte kthyese për të ditur nëse po kaq fëmijë nga viti 2009 janë vebëruar në Kosovë në mungesë të ekspertizës për trajtimin e sëmundjes verbuese. /Zëri