Hetimet ndaj Mefail Shkodrës- këta janë zyrtarët policorë që u rekomandua të suspendohen
Inspektorati Policor i Kosovës ka njoftuar se ka rekomanduar suspendimin e katër zyrtarëve policorë, prej tyre një rreshter policor dhe një hetues nga njësiti i hetimeve rajonale të Drejtorisë rajonale në Gjilan, një rreshter policor – shef i hetimeve në Stacionin Policor të Novobërdës dhe një zyrtar policor i angazhuar në Njësinë e Reagimit të…

Lajme
Inspektorati Policor i Kosovës ka njoftuar se ka rekomanduar suspendimin e katër zyrtarëve policorë, prej tyre një rreshter policor dhe një hetues nga njësiti i hetimeve rajonale të Drejtorisë rajonale në Gjilan, një rreshter policor – shef i hetimeve në Stacionin Policor të Novobërdës dhe një zyrtar policor i angazhuar në Njësinë e Reagimit të Shpejtë, Drejtoria Rajonale e Policisë Gjilan.
Ndaj të njëjtëve ka filluar edhe hetimi nëse ka pasur ndonjë lëshim apo përfshirjeje të mundshme në veprimtarinë kriminale të të dyshuarit i shpallur në kërkim për vrasjen e trefishtë në Gjilan.
“Inspektorati Policor i Kosovës, në koordinim me Kryeprokurorin e Prokurorisë Themelore Gjilan është duke zhvilluar hetime penale paraprake ndaj të lartcekurve lidhur me dyshime për përfshirje në veprimtari të kundërligjshme me elemente të veprës penale”, thuhet në njoftim.
Lajmi.net, mëson se bëhet fjalë për Metush Arifi- Njsia e Reagimit të Shpejtë, Ardian Arifi, hetues i krimeve të rënda. si dhe Bekim Sabedini- me gradën Rreshter.
Po ashtu sot gjatë ditës ministri i Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla, ka thënë se ka urdhëruar Inspektoratin Policor të Kosovës që të angazhohet në hetimin e çdo lëshimi apo përfshirjeje të mundshme të ndonjë pjesëtari të Policisë së Kosovës në veprimtarinë kriminale të Shkodrës.
“Në çdo deklarim publik dhe në çdo takim me mekanizmat që drejtoj, kam theksuar dhe kërkuar angazhimin maksimal të të gjitha strukturave për garantimin e integritetit personal dhe profesional të çdo shërbyesi publik në vendin tonë. Vazhdoj të jem i pakompromis në këtë drejtim dhe mbështes çdo formë të koordinimit ndërinstitucional që siguron institucione kredibile, të besueshme dhe plotësisht në shërbim të qytetarëve tanë”, thekson ndër tjera Sveçla. /Lajmi.net/