Këta janë dy zyrtarët e Komunës së Suharekës që akuzohen se i ndanë 7 mijë euro për një lapidar që nuk u ndërtua kurrë
Prokuroria Themelorë në Prizren, ka ngritur aktakuzë ndaj dy zyrtarëve të Komunës së Suharekës, nën akuzën për “keqpërdorim të detyrës zyrtare”. Sipas aktakuzës, të njëjtit kanë ndarë 7 mijë e 377 euro e 20 cent për ndërtimin e një lapidari në fshatin Studenqan, lapidar që nuk u ndërtua kurrë. “Sipas aktakuzës, nga data 20.10.2023 e…
Lajme
Prokuroria Themelorë në Prizren, ka ngritur aktakuzë ndaj dy zyrtarëve të Komunës së Suharekës, nën akuzën për “keqpërdorim të detyrës zyrtare”.
Sipas aktakuzës, të njëjtit kanë ndarë 7 mijë e 377 euro e 20 cent për ndërtimin e një lapidari në fshatin Studenqan, lapidar që nuk u ndërtua kurrë.
“Sipas aktakuzës, nga data 20.10.2023 e në vazhdim, të pandehurit e lartpërmendur lidhur me projektin për ndërtimin e lapidarëve në fshatrat Studenqan, Vraniq dhe Dubravë, të njëjtit duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar, i tejkalojnë kompetencat e tyre dhe nuk i përmbushin detyrat e tyre zyrtare, ashtu që i pandehuri i parë A.E., në cilësinë e menaxherit të kontratës ka urdhëruar operatorin ekonomik të ndryshoj projektin dhe të realizoj punët që nuk kanë qenë në projekt duke ndryshuar projektin gjatë ekzekutimit, duke anashkaluar zyrën e prokurimit dhe zyrën e autoritetit kontraktues, ndërsa e pandehura e dytë L.G., mbikëqyrëse e drejtpërdrejte, i ka pranuar të gjitha këto shkelje të menaxherit të kontratës, me qëllim që të mundësojnë përfitim për operatorin ekonomik duke konfirmuar me nënshkrimin e tyre të dhënat e pa vërteta për pagesën e vlerës prej 41.270.00 € si dhe për përfundim të punimeve të datës 22.12.2023 në vlerë prej 7.377.20 € edhe pse nuk është realizuar asnjë punim në ndërtimin e lapidarit në fshatin Studenqan duke i shkaktuar dëm buxhetit të Komunës së Suharekës”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Siç ka mësuar lajmi.net, dy zyrtarët që iu ka ngritur kjo aktakuzë, janë Ahmet Emërllahu dhe ish drejtoresha e Kulturës, Rinisë dhe Sportit në këtë komunë, Lorika Gashi.
Në lidhje me këtë lapidar, gjatë fushatës së balotazhit, është diskutuar nga kandidati për kryetar i LDK-së, Ardian Shala.
Ai ka thënë se për këtë lapidar kanë paguar banorët, ndërsa komuna ka hapur tender për këtë
“Nuk do të thotë me luftu për këtë vend dhe me vjedh edhe në lapidare të dëshmorëve. Ja edhe dëshmia që të ka dal në media që ka dal Prokuroria. ‘Studenqan u paguan rreth 7 mijë euro për lapidarin e ndërtuar nga banorët, kallëzim penal ndaj dy zyrtarëve të Suharekës’. 6 mijë e 900 euro i kanë paguar banorët, komuna ka hapur tender për këtë” – deklaroi Ardian Shala në “Debat Përnime” më 27.10.2025. /Lajmi.net/