Këshilltari i ish-presidentit Pacolli konfirmon se e vrara nga hajnat është gruaja e tij, ja çka dëshmoi ai në polici

Gruaja e vrarë në Prishtinë sonte nga hajnat është gruaja e Naim Murselit, këshilltarit të liderit të AKR-së dhe ish-presidentit, Behgjet Pacollit. Kjo konfirmohet nga një dëshmi që vet Murseli e ka dhënë para hetuesve policorë, transmeton lajmi.net. Bazuar në deklaratën e Murselit që e ka dhënë para hetuesve policorë, i njëjti ka deklaruar se…

Lajme

29/11/2023 22:44

Gruaja e vrarë në Prishtinë sonte nga hajnat është gruaja e Naim Murselit, këshilltarit të liderit të AKR-së dhe ish-presidentit, Behgjet Pacollit.

Kjo konfirmohet nga një dëshmi që vet Murseli e ka dhënë para hetuesve policorë, transmeton lajmi.net.

Bazuar në deklaratën e Murselit që e ka dhënë para hetuesve policorë, i njëjti ka deklaruar se hajnat fillimisht iu kanë kërkuar gjërat me vlerë, duke marrë paratë dhe telefonat. Kjo situatë e tmerrshme dyshohet se e detyroi Murselin që t’i largojë fëmijët nga vetura, por aty mbeti bashkëshortja e tij, e cila fatkeqësisht u vra me armë zjarri.

Kështu ka raportuar mediumi Sinjali duke u thirrur nga burime brenda policisë.

Ndryshe, policia ka konfirmuar raportimin e lajmi.net se një grua është gjetur pa shenja jete dhe se dyshohet që e njëjta është vrarë me armë zjarri.

Flora Ahmeti, zëdhënëse e rajonit të Prishtinës ka thënë se viktima është gjetur pa shenja jete në një veturë në rrugën “Dalip Alshiqi”.

“Policia si dhe mjekët emergjent, menjëherë kanë dalë në vendin e ngjarjes, ku në një veturë kanë hasë  një person pa shenja jete. Vdekjen e viktimës (femër) e ka konstatuar ekipi mjekësor në vendin e ngjarjes. Mbështetur në informacionet e para, dyshohet se bëhet fjalë për vrasje me armë zjarri”, ka thënë Ahmeti për lajmi.net.

Ajo ka shtuar se policia në koordinim me prokurorinë, ka nisur hetim  dhe  ndërmarrjen e të gjitha veprimeve hetimore dhe të ekzaminimit, që do të ndihmonin hetimin e ngjarjes si dhe sqarimin e plotë të rastit.

Lajmi.net më herët raportoi se viktima është vrarë nga disa hajna derisa po kryenin një grabitje.