Këshilltarët në veriun e Mitrovicës mblidhen në seancë të jashtëzakonshme

Shkresa e MAPL për shkeljet ligjore të Goran Rakiqit ka bërë që Asambleja Komunale e Mitrovicës së veriut të mblidhet në një seancë të jashtëzakonshme të premten.

Lajme

26/06/2014 23:14

Si raporton KTV-ja, kështu është vendosur pas shkresës që Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal i ka dërguar kryetarit të kësaj Komune, Goran Rakiq. Aty MAPL i ka sqaruar se kur vendosi “Parkun e paqes”, Rakiq ka shkelur Kushtetutën, marrëveshjen e Brukselit dhe 5 ligje të Kosovës.

Sqarime shtesë lidhur me veprimet që kryetari i Komunës i ka ndërmarrë për rivendosjen e barrikadës do të kërkojnë të premten edhe këshilltarët komunalë shqiptarë. Azemi, që është edhe zëvendëskryesues i Asamblesë Komunale, ka thënë se askush nuk ka qenë në dijeni për veprimin e Rakiqit që të rivendosë barrikadën në formë parku.

KTV-ja ka mësuar nga burime brenda Kryeministrisë se ata janë në kontakte të vazhdueshme me Brukselin, të intensifikuar gjatë ditës së enjte, për veprimet që do të ndërmerren sa i përket heqjes së barrikadës në urën e Mitrovicës.