Këshilli Prokurorial s’lodhet të flasë për vrasjen e Arlinda Zekajt, anipse për prokuroren Hamza ishte kërkuar të merrej masa dhe institucionet e neglizhuan
Një vrasje e rëndë ka ndodhur dje në Vitromiricë të Pejës, ku Arlinda Zekaj është privuar nga jeta nga kunati i saj. Sipas raportimeve të institucioneve të rendit, Zekaj është vrarë duke e goditur me sëpatë, shkruan lajmi.net. Kjo vrasje makabre e saj, ka ardhur pasi e ndjera disa herë me radhë kishte kërkuar mbrojtje…
Lajme
Një vrasje e rëndë ka ndodhur dje në Vitromiricë të Pejës, ku Arlinda Zekaj është privuar nga jeta nga kunati i saj.
Sipas raportimeve të institucioneve të rendit, Zekaj është vrarë duke e goditur me sëpatë, shkruan lajmi.net.
Kjo vrasje makabre e saj, ka ardhur pasi e ndjera disa herë me radhë kishte kërkuar mbrojtje nga Prokuroria Themelore në Pejë por që nuk gjeti mbështetje.
Në dy letrat e saj të publikuara pas vdekjes, Zekaj kishte treguar se është në rrezik për jetën.
Për shkak të “dështimit” të institucioneve për ta mbrojtur, akterë politikë në vend kanë kërkuar dorëheqje të personave përgjegjës, saktësisht të prokurores Suada Rama Hamza e cila e trajtonte rastin dhe të Kryeprokurores së Pejë, Lumturie Vuçetaj.
Në lidhje me masat që pritet të merren, lajmi.net ka dërguar pyetje tek Këshilli Prokurorial i Kosovës.
Të njëjtit nuk kanë dhënë informacion nëse do të merren masa, por vetëm kanë thënë se detaje mund t’iu japin Prokuroria Themelore në Pejë apo Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit. Kësisoj nga Këshilli nuk u morën aspak me pjesën tjetër se ndaj Suada Hamzës së prokurore dhe ndaj Kryeprokurores Vuçetaj pati në vazhdimësi vërejtje mbi këtë rast.
Pra Këshilli Prokurorial thjesht mjaftohet që përgjigjet të merren nga Prokuroritë përkatëse, në këtë rast nga ajo e Pejës.
“Lidhur me pyetjet tuaja ju lutem drejtojuni institucioneve përkatëse prokuroriale (Pth në Pejë apo ZKPSH)”, kanë thënë nga KPK.
Deri tani, Prokuroria Themelore në Pejë ka dhënë detaje se si ka vajtur procesi i hetimeve në rastin e Arlinda Zekajt para se ajo të vritet.
Ata kanë njoftuar për veprimet e ndërmarra nga Kryeprokurorja e kësaj Prokurorie dhe prokurorët e shtetit, pas pranimit të kërkesës së viktimës dhe gjatë trajtimit të rasteve të raportuara më parë.
“Më 22 tetor 2026, Kryeprokurorja e Prokurorisë Themelore në Pejë ka pranuar një kërkesë nga tani e ndjera Arlinda Zekaj, përmes së cilës ajo ka paraqitur pretendimet e saj lidhur me trajtimin e rasteve të mëparshme dhe ka kërkuar ndërmarrjen e veprimeve për zbatimin e një urdhri gjyqësor. Pas pranimit të kërkesës, Kryeprokurorja ka vlerësuar rrethanat e paraqitura dhe e ka adresuar çështjen te institucionet përkatëse, përfshirë Policinë e Kosovës, Gjykatën Themelore në Pejë, Drejtorinë për Punë dhe Mirëqenie Sociale, Qendrën për Punë Sociale dhe Zyrën për Mbrojtje dhe Ndihmë Viktimave, me kërkesë që të vlerësohej me urgjencë situata, të verifikoheshin pretendimet për lëshime eventuale dhe të ndërmerreshin veprimet brenda përgjegjësive ligjore të secilit institucion”, thuhet në komunikatë.
Sipas Prokurorisë, Kryeprokurorja ka iniciuar rast për hetimin e pretendimeve të paraqitura në kërkesën e palës, me qëllim të vlerësimit nëse në veprimet ose mosveprimet e personave zyrtarë të përmendur përmbushen elementet e veprës penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar.
“Sipas dokumentacionit të referuar në kërkesë, më 16 tetor 2026, Gjykata kishte nxjerrë një vendim përmes të cilit ishte urdhëruar që ish-bashkëshorti i tani të ndjerës ta lejonte atë të kthehej dhe ta shfrytëzonte shtëpinë e përbashkët. Po ashtu, ishte lëshuar urdhër mbrojtjeje për një periudhë gjashtëmujore, i cili kishte hyrë në fuqi menjëherë. Sipas vendimit gjyqësor, zbatimi i urdhrit dhe njoftimi i Gjykatës për zbatimin e tij apo për pengesat eventuale ishin përgjegjësi e Policisë së Kosovës. Në ditën kur viktima kishte kërkuar zbatimin e urdhrit dhe kthimin në shtëpinë e përbashkët, Policia e Kosovës e kishte njoftuar prokurorin kujdestar për rrethanat e rastit. Pas vlerësimit të situatës dhe të rrezikut të mundshëm për sigurinë e saj, prokurori i shtetit kishte vlerësuar se kthimi i menjëhershëm në shtëpinë e përbashkët mund të paraqiste rrezik për jetën dhe sigurinë e viktimës”, thuhet në komunikatë.
Prokurori thuhet se ka kontaktuar vëllezërit e viktimës, dhe i ka njoftuar për rrethanat e rastit.
“Pavarësisht insistimit të viktimës për t’u kthyer në shtëpinë e përbashkët, prokurori i shtetit, duke marrë parasysh rrethanat e paraqitura dhe rrezikun e mundshëm, kishte udhëzuar që ajo të dërgohej në shtëpinë e vëllezërve të saj. Me kërkesën e shprehur të viktimës, prokurori i shtetit dhe hetuesit policorë, në praninë e saj dhe të familjarëve, kishin përpiluar një shkresë zyrtare në të cilën ishin paraqitur arsyet përse ishte vlerësuar e nevojshme që ajo të qëndronte te vëllezërit e saj. Pas bisedimeve, viktima kishte pranuar të shkonte te familjarët, por kishte kërkuar që të nesërmen të shoqërohej nga një patrullë policore për t’u kthyer në shtëpinë e përbashkët”, thuhet në komunikatë.
Po atë natë, prokurori i shtetit, së bashku me hetuesit e rastit, kishte bërë vlerësimin profesional të nivelit të rrezikut dhe të masave të nevojshme të sigurisë. Si rezultat, ishte vendosur që, gjatë kthimit të planifikuar të viktimës në shtëpinë e përbashkët, një patrullë policore të qëndronte në afërsi të shtëpisë.
“Për këto rrethana ishte përpiluar procesverbali i datës 22 tetor 2026. Prokurori i rastit kishte kërkuar që përmes së njëjtës shkresë të njoftohej edhe gjyqtari i çështjes që kishte nxjerrë vendimin për shfrytëzimin e shtëpisë së përbashkët nga bashkëshortët. Më 25 tetor 2026, në orën 19:48, Policia e Kosovës kishte kontaktuar prokurorin kujdestar të Departamentit të Përgjithshëm lidhur me një rast të dyshuar të dhunës në familje, i cili kishte ndodhur në shtëpinë e tani të ndjerës. Në stacionin policor ishin shoqëruar ish-bashkëshorti i saj, J.S., dhe viktima. Në lidhje me rastin ishte iniciuar procedurë për veprën penale të mospërfilljes së gjykatës, ndërsa J.S. ishte ndaluar për 48 orë.
Prokuroria thotë se gjatë trajtimit të rastit, viktimës i ishte ofruar mundësia për të shkuar në një strehimore, por ajo kishte refuzuar, duke kërkuar të kthehej në shtëpinë e përbashkët, ku ndodhej djali i saj dhe pasuria e saj.
“Pas kësaj, viktima ishte shoqëruar nga një patrullë policore për në shtëpi, rreth orës 21:00. Pak minuta pas kthimit të saj, prokurori kujdestar ishte njoftuar se ajo ishte goditur me një mjet të fortë brenda shtëpisë nga kunati i saj, A.S., i dyshuar në këtë rast. Pas marrjes së njoftimit, në vendin e ngjarjes kishin dalë njësitë përkatëse të Policisë së Kosovës, Kryeprokurorja e Prokurorisë Themelore në Pejë dhe prokurorja kujdestare e Departamentit për Krime të Rënda, me qëllim të përcjelljes nga afër të situatës dhe ndërmarrjes së veprimeve fillestare hetimore në vendin e ngjarjes”, thuhet në komunikatë mes tjerash.
Prokuroria njofton gjithashtu se, më 23 tetor 2026, kishte ngritur aktakuzë ndaj ish-bashkëshortit të tani të ndjerës, J.S., për veprën penale të kanosjes në kuadër të marrëdhënies familjare.
“Prokuroria Themelore në Pejë thekson se pretendimet e paraqitura nga tani e ndjera Arlinda Zekaj në kërkesën e saj janë trajtuar me seriozitet dhe se Kryeprokurorja ka ndërmarrë veprime për adresimin e tyre te institucionet kompetente, si dhe ka iniciuar rast për hetimin e veprimeve ose mosveprimeve të mundshme të personave zyrtarë. Prokuroria shpreh keqardhje të thellë për humbjen tragjike të jetës së Arlinda Zekajt dhe shpreh ngushëllimet më të sinqerta për familjen e saj. Në të njëjtën kohë, Prokuroria thekson rëndësinë e një hetimi të plotë, objektiv dhe profesional për zbardhjen e të gjitha rrethanave të këtij rasti dhe vlerësimin e përgjegjësive eventuale të të gjithë personave të përfshirë. Policia e Kosovës është duke ndërmarrë veprime për lokalizimin dhe arrestimin e personit të dyshuar, i cili ende nuk është arrestuar”, thuhet mes tjerash. /Lajmi.net/