Prokuroria Speciale konfirmon për Lajmi.net se ka pushuar hetimet ndaj Faton Pecit për rastin e granteve

Prokuroria Speciale e Kosovës ka konfirmuar për Lajmi.net se ka pushuar hetimet ndaj kryetarit aktual të Komunës së Mitrovicës, Faton Peci, dhe deputetes së Lëvizjes Vetëvendosje, Fitore Pacolli, lidhur me rastin e granteve për familjarët e kësaj të fundit. Në një përgjigje për Lajmi.net, Prokuroria Speciale ka bërë të ditur se gjatë hetimeve nuk janë…

Lajme

27/10/2026 15:44

Prokuroria Speciale e Kosovës ka konfirmuar për Lajmi.net se ka pushuar hetimet ndaj kryetarit aktual të Komunës së Mitrovicës, Faton Peci, dhe deputetes së Lëvizjes Vetëvendosje, Fitore Pacolli, lidhur me rastin e granteve për familjarët e kësaj të fundit.

Në një përgjigje për Lajmi.net, Prokuroria Speciale ka bërë të ditur se gjatë hetimeve nuk janë vërtetuar elementet e veprës penale për të cilën dy të përmendurit kanë qenë nën hetim.

“Lidhur me çështjen për të cilën keni parashtruar pyetje, ju njoftojmë se Prokuroria Speciale ka pushuar hetimet ndaj F.P. dhe F.P., pasi gjatë zhvillimit të hetimeve nuk janë vërtetuar elementet e veprës penale për të cilën kanë qenë nën hetim”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë Speciale për Lajmi.net.

Rasti lidhet me kallëzimin penal që Forumi i Rinisë i Lidhjes Demokratike të Kosovës kishte dorëzuar më 19 nëntor 2024 ndaj Pecit, atëkohë ministër i Bujqësisë, dhe deputetes Fitore Pacolli, lidhur me dyshimet për ndarjen e granteve për familjarët e saj.

Në atë kohë, kryetari i Forumit të Rinisë së LDK-së, Paris Guri, kishte pretenduar se vëllai dhe daja i Pacollit kishin përfituar nga 100 mijë euro grante secili nga Ministria e Bujqësisë. Ai kishte kërkuar hetimin e rastit, duke ngritur dyshime për mënyrën e ndarjes së mjeteve publike.

Pas zhvillimeve të fundit, Faton Peci ka reaguar përmes një postimi, duke deklaruar se grantet janë ndarë mbi bazën e meritokracisë dhe duke thënë se për dy vjet është përballur me, siç i ka cilësuar ai, linçim dhe shpifje.

Prokuroria Speciale hedh poshtë kallëzimin penal që LDK-ja ia bëri Faton Pecit: Prokuroria Speciale foli, grantet janë dhënë me meritokraci

Peci ka paralajmëruar gjithashtu kallëzim penal ndaj zyrtarëve të LDK-së që e kishin ngritur rastin, me pretendimin për deklarim të rrejshëm.

Pushimi i hetimeve, sipas konfirmimit të Prokurorisë Speciale për Lajmi.net, është bërë pasi gjatë zhvillimit të tyre nuk janë vërtetuar elementet e veprës penale për të cilën Peci dhe Pacolli ishin nën hetim./Lajmi.net/